Plagosen dy policë në Skënderaj, të dyshuar për rastin Nuredin Lushtaku dhe familjarët e tij
Raportohet për një shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave, ndodhur rreth orës 00:30 në Skenderaj. Si pasojë e kësaj, dy zyrtarë policorë kanë mbetur të plagosur, me ç’rast janë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për ndihmë mjekësore.
“Sinjali” mëson nga burimet se personat e dyshuar për plagosjen e policëve janë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy djemtë dhe vëllezërit e tij.
Ngjarja dyshohet se nisi kur policia e ndali në pikën e kontrollit djalin e gjeneral Nuredin Lushtakut, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku. Kjo u bë sebep që ai ta thërrasë babin e tij, i cili, sapo arriti në pikën e kontrollit, filloi sherrin me policët. Në konflikt dyshohet se u përfshinë edhe vëllezërit e Lushtakut.
“Sinjali” mëson se policia tashmë është vënë në lëvizje që të arrestohen të dyshuarit të cilët shtinë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, si dhe i rrahën ata me mjete të forta, vetëm pse atyre u shqiptuan një tiketë të trafikut.
Burimet e “Sinjalit” nga QKUK njoftuan se një nga policët dyshohet se ka marrë plagë në kokë nga mjetet e forta por, përkundër gjendjes së rëndë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.