Plagoset ministri i Brendshëm i Pakistanit
Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Ahsan Iqbal është plagosur në një sulm me armë zjarri në provincën Punxhab, ku ai ishte duke marrë pjesë në një takim, kanë thënë zyrtarët pakistanez.
Zëvendësministri i Brendshëm, Talal Chaudhry, ka thënë se Iqbal është qëlluar me plumb në dorë, në sulmin në qarkun Narowal.
Ministri është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, kanë raportuar mediet lokale, duke cituar policinë dhe familjen e ministrit, raporton “Rel”.
Portali “Dawn.com” ka cituar zyrtarin policor Imaran Kishwar të ketë thënë se sulmuesi ka përdorur një pistoletë për të qëlluar ministrin nga një distancë rreth 20 metrash.
Policia ka arrestuar të dyshuarin i cili besohet se është në të 20-tat. Zyrtarët nuk kanë dhënë më shumë detaje.