Plagoset një kosovar në Lezhë
Një konflikt është regjistruar mbrëmjen e 5 gushtit në Lezhë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një shtetas 37-vjeçar nga Kosova.
Incidenti është regjistruar në një karburant në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në të cilën janë përfshirë edhe dy punonjësit e pranishëm.
Sipas njoftimit të autoriteteve, ende nuk dihen arsyet se përse ka nisur sherri.
“Shqiptari nga Kosova, M.M.,është përfshirë në një konflikt fizik me dy punonjësit e karburantit, N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë”, vëren Policia.
37-vjeçari është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, shtuan autoritetet në njoftimin e tyre.
Sakaq, dy punonjësit e karburantit janë shoqëruar në komisariatin e Lezhës.
Gjithashtu, gjatë konfliktit janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar.
Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.