Plagoset një person në Kodër të Trimave, policia jep detaje
Një incident me armë zjarri ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka treguar se nga ky rast është plagosur një person. Po ashtu bëhet e ditur se është arrestuar një qytetar, që dyshohet se ka bërë këtë vepër.
“Rreth orës 19:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë. Menjëherë te gjitha njësite policore kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e operative”, ka thënë për “Express,” Agron Borovci zëdhënës në Policinë e Kosovës.
Ai ka treguar se nga rezultatet e para të veprimeve hetimore policore dyshohet për një person të plagosur nga arma e zjarrit.
“Ne te njëjtën kohë policia ka arrestuar një person të dyshuar si dhe ka konfiskuar një arme e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Viktima është transferuar ne QKUK për trajtim mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë”, shtoi ai.
Policia është duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit.