Plagoset një polic në Pejë
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është plagosur me armë zjarri sot në fshatin Brestovik të Pejës.
Pas tretmanit në spitalin Rajonal të Pejës, për shkak të gjendjes së rëndë viktima është dërguar në QKUK në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës rasti ka ndodhur sot rreth orës 09:45.
“Policia me të marrë informacionin ka shkuar në vendngjarje dhe ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes në shtëpinë e viktimës ne fashitin Brestovik, ku sipas familjarëve rasti ka ndodhur ne një aneks të shtëpisë së viktimës”, ka njoftuar policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë drejtori rajonal i policisë në Pejë, zëvendësdrejtori rajonal, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Njësiti i Hetimeve Rajonale, Njësiti i Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të cilët janë duke i kryer hetimet në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit dhe hetuesit kompetent në këtë rast, meqë viktima është pjesëtar i Policisë së Kosovës.