Plagoset vëllau i Rexhep Selimit, familja Nuha tregon si ndodhi rasti
Xhevat Nuha nga Komorani i Drenasit dyshohet se e ka plagosur Islam Selimin, vëllaun e deputetit të Vetëvendosjes!, Rexhep Selimit.
Djali i Xhevat Nuhës, Gjergji, ka treguar për “Klan Kosovën” se si ka ndodh ky rast mbrëmë.
“Rreth orës 20:00 në mbrëmje ka ardhur në shtëpinë tonë dmth në shtëpinë e Xhevat Nuhes, Islam Selimi”, ka treguar Gjergji rrëfimin e familjes së tij.
“Ai është futur në oborr me makinën e tij, mbrapa ka ardhur edhe baba im (Xhevat Nuha), prej kerrit ka dalë Islami me një shufër te hekurit duke sharë e duke fyer, pastaj ka dalë edhe baba prej kerrit të tij – Islami e ka godit me shufer disa herë”, ka vazhduar ai rrëfimin.
“Nëna ose bashkëshortja e Xhevatit është munduar t’i ndajë dhe ta qetësojë situatën, duke bërtit është lutur që mos ta godas më me shufër, por ka qenë e kot. Pastaj ka ndodh plagosja në vetëmbrojtje, ne si familjar pasi e kemi qetësuar situatën ia kemi dhënë ndihmën e parë Islamit dhe pastaj e kemi njoftuar Policinë e Drenasit”, ka thënë ai.
Ky është versioni i familjes Nuha për rastin që ka ndodhë mbrëmë në oborrin e shtëpisë së tyre.
Familja nuk ka dhënë detaje të tjera, që mund ta zbulojnë shkakun që ka çuar deri tek kjo ngjarje.
Megjithatë Policia gjuajtjen me armë ndaj vëllait të deputetit Selimi e ka cilësuar si “tentim vrasje”.
I dyshuari Xhevat Nuha është arrestuar nga Policia, ndërsa arma që dyshohet të jetë përdorë në rast është konfiskuar.
“Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, ka njoftuar Policia.