Plagosi një mjek një vit më parë – 19 vjeçari nga Kosova arrestohet në Tiranë
Një 19-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Tiranë pasi qarkullonte me armë zjarri me vete dhe ishte duke e drejtuar automjetin pa patentë.
I riu Uranik Agushi, rezulton të jetë në kërkim për llogari të Kosovës, për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë urdhër arrestin për 19-vjeçarin dhe i është dërguar Interpol Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Në shtator të vitit 2020, 19-vjeçari rezulton se ka goditur me thikë një mjek në Prishtinë. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë.
Sipas policisë, Agushi në momentin e ndalimit nga ana e Policisë Rrugore, ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur së bashku me armën e zjarrit gjatë ndjekjes nga partullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë.
ILECU Kosovë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, vijon punën për ekstradimin e këtij personi drejt Kosovës.