Plagosja e dy personave në Prishtinën, Policia jep detaje

28 gusht 2024 | 09:30

Në dy raste të ndara, dy persona kanë mbetur të plagosur nga gjuajtjet me armë zjarri mbrëmjen e së martës në Prishtinë. Lidhur me njërin rast është arrestuar një person i dyshuar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se rasti i parë ka ndodhur rreth orës 19:30, kur  policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person,  i cili është dërguar për tretman mjekësor.

“Aktualisht hetuesit policor të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit  janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, rasti i dytë i plagosjes me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 22:40, kur policia ka  marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Maliq Pashë Gjinovci” në Prishtinë.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”, ka thënë Ahmeti.

Sipas zëdhënëses, hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore, deri tani është arrestuar një person i dyshuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-shefi i diplomacisë së Kroacisë, Toni, Tonino Picula, ka komentuar…