Plagosja në Dardani, kjo është gjendja shëndetësore e junikasit Defrim Kuqi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në kafenenë ‘Pasarela’ në lagjen Dardania në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur, Defrim Kuqi.
Ai tash është jashtë rrezikut për jetën pas tarajtimit që ka marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu ka njoftuar Policia e cila ka thënë se “pas lëndimeve të marra viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor dhe sipas mjekut është jashtë rrezikut për jetë”.
Është mësuar se i dyshuari për ngjarjen e rëndë është Flamur Berisha, i cili ndodhet ende në arrati.
Nga Policia bëjnë të ditur për Sinjali se janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ai të kapet sa më parë.
“Sot rreth orës 11:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Dardania në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.