Plaku i Çetës
Shkruan: Bedri TAHIRI –
(Shkrim i botuar në “Bujku” dhe në “Zëri i Kosovës”, në vitin 1997, kushtuar Bekë Hysenit- Galicës, të njohur më shumë si Plaku i Çetës, të cilin ditë më parë e gjeta në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ngase biblioteka ime është djegur gjatë luftës sonë çlirimtare 1998-1999)
Lugu i Zanave
Trojet shqiptare janë përplot toponime të stërlashta. I tillë është edhe Lugu i Zanave në Galicë. Një vend i përthyer keq e me emër mitik, që ta rrëqeth trupin. Fill të vete mendja te kreshnikët e kohëve të mugëta. Të përkujtohen Lugjet e Verdha me ekzotiken e tyre misterioze. Të dalin parasysh dhitë briarta dhe zanat flokëgjata, që i dhanë Mujit fuqinë dhe e ndihmuan në beteja. Sikur e dëgjon gurgullimën e Krojeve të Bardha dhe ndien freskinë e mrizeve të thella ku nuk arrinin dot rrezet e diellit.
Të gjitha këto kishin bërë të veten dhe njerëzit i dronin atij vendi. Edhe të vjetrit u kishin thënë që në mesditë, kur bënte vapë, të mos kalonin fare se kishte rrezik. Në atë kohë freskoheshin zanat dhe ai që i trazonte e pësonte keq. Pastaj kishin vërshuar rrëfime të çuditshëm për shumë fatzinj. Ca nga to, si relikte, gjallonin edhe sot…
Mu pranë këtij vendi ndjellafrikës e ngriti shtëpinë Hysen Rama. Ky burrë fisnik e atdhetar i flaktë nuk dëgjoi fjalët e botës. Rronte vetëm me të shoqen, një grua e ndershme dhe shumë punëtore. Ishte bijë e Murtezajve të Klinës së Poshtme. Kurrë nuk ndalej, si drugëza. I kryente punët e shtëpisë dhe të fushës. Një ditë korriku u zgjua herët që me natë. Ashtu shtatzënë siç ishte e korri gjysmën e arës. Pasdreke e rrokën dhimbjet. S’pati kohë të shkonte në shtëpi. U fut në thanishtën e pashkelur. Nuk vonoi dhe një zë fëmije e çjerri tisin e heshtjes. Jehoi edhe shpati përballë. Zanat nuk u shqetësuan fare. Jo, jo, as nuk u hidhëruan. Përkundrazi, u gëzuan. E mbuluan me urime dhe përgëzime. Kështu erdhi në jetë djali i quajtur Bekë. Ishte java e fundit e korrikut të vitit 1876.
Dashuria për lahutën, pushkën dhe atdheun
Bëka ishte fëmijë i shëndoshë dhe i zgjuar. Të gjithë e donin. Vazhdimisht e mbanin në odat e burrave. Aty merrte mësime të mira. Me ëndje i dëgjonte rrëfimet e pleqve dhe këngët e rapsodëve. Disa këngë trimërie i mësoi përmendësh dhe zuri t’i këndojë edhe vetë. Babi ia bleu lahutën që aq bukur i binte sa nuk bëhej gazmend pa të. Heronjtë e tyre i adhuronte pa masë. Iu bënë idhuj jetësorë që i paraprinin në jetë.
Dashuria për trojet stërgjyshore e kishte pushtuar zemrën e djaloshit. Askund s’e linte të qetë. Prore e trazonte. Edhe kur flinte nën hijen e dardhës ujce, tek ara ku kishte lindur, i fanitej një si hije dhe i pëshpëriste në vesh: “Çou djalosh, mos fli shumë se nga gjumi nuk ke dobi. Puno dhe vepro! Atdheu mbi të gjitha. Të huajin mos e lejo në vatrat tuaja, se të mallkon ardhmëria. Për liri s’mjafton as jeta…”. Zgjohej trembshëm. Shikonte anësh, asgjë. Dhe, nuk fliste me askë. Do ta merrnin për të krisur.
Fëmijët e parë, zakonisht i martojnë më herët. Edhe këtij ia gjetën një vajzë të bukur si perri. Hajrie Veliqi e quanin. Ishte nga Polaci i Hasan Prishtinës. Dasmë e madhe u bë kur u martua. Lamtumirën ua shtuan edhe fëmijët: Ajetja, Ajmania, Arifja dhe Bahtiri.
Personaliteti i këtij atdhetari u formua nën vringëllimën e armëve. Kohë trazirash dhe përpjekjesh për liri. Luftëra e beteja të pareshtura kundër pushtuesve të ndryshëm që u sulën mbi trojet tona të sfilitura e të përgjakura.
Ende pa i mbushur të njëzetat radhitet në çetat e lirisë. nuk i ndahej Bejtë Galicës dhe Ahmet Delisë. Djegia e Sarajit turk dhe vrasje e konsullit rus, Shçerbinit, lanë gjurmë në shpirtin e tij. Edhe në kryengritjet e viteve 1910-1912 ishte shumë aktiv. Gjatë sundimit austro-hungarez e bullgar veproi në Çetën e Shaqir Smakës, përkatësisht të Azem Galicës. E kundërshtoi ashpër dërgimin e të rinjve shqiptarë si vullnetarë (gjynli) në ushtrinë turke për të luftuar kundër rusëve. As taktika e tij në Përrua të Keq, kur i zunë robër rreth dymijë austriakë, nuk harrohet. I organizoi barinjtë dhe me buria e pipa shkaktuan huti mbi armikun, e kjo pati sukses.
Internimi i familjes në Nish dhe në Deviq
Jeta mynxyrore dhe skëterra që përjetuan shqiptarët në sundimin e egër të SKS-së u përballua nga çetat kaçake të lirisë. atyre u printe “Nëna e çetave” e Azem e Shotë Galicës. Në të, që nga formimi, vepronte edhe Bekë Hyseni. Ai, në saje të maturisë, mençurisë dhe moshës, u quajt Plaku i Çetës, epitet ky që e mbajti deri në vdekje.
Pushteti serbosllav i kishte halë në sy. E përcillnin kudo, por nuk i kapnin dot. Më 1919 ia dogjën shtëpinë rrafsh me tokë. Në fillim të vitit 1921 gruan me dy vajza ia internojnë në burgun e Nishit. Atje i vdes vajza e vogël, Arifja. Pas gjashtë muajsh i sjellin në kampin e posa formuar të Deviqit, ku qëndrojnë edhe shtatë javë. As këto masa nuk e gjunjëzuan trimin. Përkundrazi, ato ia sforconin atdhedashurinë dhe ia shtonin urrejtjen për gjakpirësit. Gjatë kësaj periudhe ndërmori shumë aksione.
Një ditë me Rifat Banjskën dhe ca shokë të tjerë e sulmuan postëkomandën e Vushtrrisë dhe vranë naçallnikun Vuçina me trembëdhjetë xhandarë.
Herën tjetër kaloi në Shalë e në Llap për të kontaktuar me çetat e atyre anëve. Me vete kishte Zenel Ujkanin, Emin Rexhën, Brahim Ferizin dhe Vesel Lubovecin. Kukudhat i kishin nuhatur dhe i kishin lajmëruar. Në va të Dobërllukës u vunë pusi. Luftuan fytas. Bëka dhe Zeneli plagosen lehtë dhe depërtuan, ndërkaq Veseli dhe Emini mbesin. Ah, ç’vdekje e tmerrshme ajo e Emin Rexhës. Ashtu të plagosur e torturojnë. Trupi i digje flakë. Kërkonte ujë. Oficeri i pashpirt ia afroi rakinë. Merre, i thoshte, dhe i matej me shpatë. Trimi mblodhi fuqinë e fundit dhe ia mori shpatën nga dora. Të tjerët iu vërsulën si bishta dhe e masakruan.
Një vit e gjysmë Beka qëndroi në Zonën e Lirë të Junikut. Atje të gjithë i mirëpritën bujarisht. Si shumica e luftëtarëve, edhe ky e mësoi shkrim-leximin.
Në verën e vitit 1923 formohet “Zona e Lirë e Drenicës”. Edhe Plaku i Çetës i kaloi disa ditë të qeta në Galicë. Ditën që u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël, ai ishte në kullën e vet. Aty e nisi luftën. Ai në katin e parë, kurse i biri dhe nipi në katin e dytë. Një predhë topi e qëlloi kulmin. Kulla mori flakë. I biri, Bahtiri, kishte vdekur e i nipi, Rexhepi, ishte plagosur. I tërhoqi zvarrë që të mos digjeshin. E ktheu mbarë të birin dhe e puthi në ballë. A i kthehej shpina asaj drite që shkreptinte atë mëngjes freskues. Edhe pa gjysmën e kokës shkëlqente bukuria e këtij tetëmbëdhjetëvjeçari. Por, burrat maten në ditë të vështira. Lufta duhej vazhduar. Çdo gjë po ndizej flakë. Pushkën e shkurtër italian e ia vuri në gjoks dhe sërish u përkul mbi të. Edhe njëherë e puthi në ballë dhe me Rexhepin e plagosur çau rrethimin. Nëpër flakë e pa Azem Galicën tek fluturonte midis plumbash.
Takimi në Qyqavicë
Buzëmbrëmje e ngrohtë korriku. Muzgu krahzi lëshohej ngadalë mbi Qyqavicën legjendare. Fshatrat e djegura kaherë i kishte mbështjellë velloja e zezë. Tymi dhe flaka ngriheshin deri në qiell. Rrallë, tek-tuk, dëgjohej ndonjë krismë pushke. Burizani armikut nuk pushonte fare. I ftonte forcat e veta për tërheqje. Sadistët ende s’ishin ngopur, por nuk kishin me se të merreshin.
Lëndina e vogël midis Krasaliqit dhe Kozhicës gumëzhinte si zgjua bletësh. Mallkime plakash që mezi ecnin, qarje fëmijësh në supe nënash dhe rënkime të thella burrash të plagosur rëndë. Ato sa vete e shtoheshin. Azem Galica i shtrirë në mes. Zemra i lotonte, por sytë ia fshihnin.
-Mori Shotë, ende nuk po duket baca Bekë. Kam frikë se mos t’i ketë ngjarë ndonjë e ligë. Herën e fundit ia dëgjova pushkën te Shpati i Madh,-tha ai duke bërë përpjekje për t’u ngritur në bërrylin e djathtë.
-Ja tek po ngjitet, Azem, por kujdes varrët!,- i foli ajo, duke ia rregulluar jastëkun nën sqetull.
-Mirë se ju gjej burra e me fat varrët!- përshëndeti ai.
-Mirë se vjen, o Plaku i Çetës!- ia kthyen të gjithë, duke luajtur nga vendi. U ul në trungun e një ahu të prerë moti. Heshtje varri. Atmosferë e zymtë mbytëse. Ua hodhi një sy të gjithëve dhe foli:
-Ç’keni, ore burra, që nuk flisni?! A mos do të mbajmë zi për gjëmën që na ndodhi? Jo qe besa. Dasmë pa mish s’ka. Edhe mua po më digjet zemra, por s’ka kohë për përlotje. Shpëtimi i Kapedanit do ta çmendë kralin serb. Pika do t’i bjerë nga inati. Kjo duhet të na forcojnë dhe të na japë krahë për të mbijetuar…
Shtatë ditë më vonë Çeta u përgjysmua dhe u nis drejt Shqipërisë. Në krahë bartnin kapedanin e plagosur dhe nuk flisnin. Ditët ecnin e ai ligështohej. Njëzet e katër korrik 1924. Një natë e gjatë shekull. Dielli vononte të lindte. Nuk donte të shihte se ç’po ndodhte në malet e Përçevës. As trimat nuk pajtoheshin me vdekjen. Nuk besonin se Kapedani u kishte lënë lamtumirën. Vetë e kishin lëshuar në shpellën e pafund dhe nuk besonin. Jo, jo, Ai nuk kishte vdekur! Ai ishte aty, në zemrat e tyre. Dymbëdhjetë vjet u kishte prirë dhe prapë do t’u printe…Dhe, kishin ngecur midis malit. Nuk bënin dot më tutje. Heshtnin kokëvarur e sypërlotur. As Allçi nuk qetësohej. E ndiente pikëllimin. Nuhaste në grykën e shpellës enigmatike dhe gërryente me këmbë.
Edhe qielli u trazua i tëri. Retë e mllefosura nxitonin duke u përplasur në njëra-tjetrën. Pasi shkreptiu dy-tri herë, shpërtheu moti. Pikat e shiut u përzien me lotët e trimave. Drini Plak i mblodhi tok me valët e veta dhe lundruan drejt detit.
Kali i Azem Galicës kthehet në Kosovë
Fitorja e Nolit i gëzoi edhe kosovarët. Tashti ndiheshin më të sigurt dhe më të lirë për tab kaluar kufirin.
Edhe pjesa e mbetur e Çetës kreshnike e prirë nga Nusja e Maleve kaloi në Shqipëri. Plaku i Çetës me Shotën dhe jetimët kosovarë u vendosën në fshatin Shullaz. Zemërplasur e të mërzitur për Kosovën e robëruar mezi i kalonin ditët e para. As atje nuk u kënaqen. Sërish erdhën në pushtet të mëparshmit. Moçalishtet i mbushen me kosovarë. Ah, të mjerët, ishin mësuar maje kreshtash dhe s’i bëni dot ballë asaj klime. I zinte malaria. Çdo ditë lëngonin dhe vdisnin.
Shtëpia ku u vendosën këta ishte e vogël, gati rrënojë. Rronin si gjithë të tjerët, për gazep. Shiten çdo gjë për ta mbajtur shpirtin gjallë. U ngeli vetëm Allçi. E zeza uri u kërcënohej mbi kokë, si shpatë e Demokleut. Në magje as një kothere buke. Shota përpëlitej nëpër dhomë. Ç’të bënte e gjora?! Fëmijët kërkonin bukë. Plaku, i zënë ethesh, rrinte ratë. Kukuvajka mbi çati ndillte kob. Jeta dhe vdekja ballë për ballë. Duhej sfiduar të keqen. Nuk thuhej kot: Skamja të çon në derë të armikut! Edhe pasurinë e vetme të burrit, do ta shiste. E njoftoi edhe Plakun. I shkreti, nuk u përmbajt dot. Lumë i rrodhën lotët. Nuk kishte qarë as kur iu vra i vetmi djalë. Po kjo qenka më e rëndë se vdekja. Edhe të tjerët qanë kur e përcollën. Vonë, gati në të kryer vajti në pazarin e Fushë-Krujës. Një kosovar e njohu kalin dhe e bleu. Dyfish e pagoi dhe tha: Kali i Azem Galicës do të kthehet në Kosovë!
Luftëtarët e lirisë jetonin në Shqipëri, por mendjen e kishin në Kosovë. Vatrat ua kishin zënë të huajt, kolonët. Plaku i Çetës dhe Nusja e Maleve sa e sa herë kaluan në Drenicë. Në tokën e tij ishte vendosur malazezi, Ilia Raduleviqi, kurse në të sajën, hercegovasi, Jovan Lekiqi. Disa herë menduan t’i vrasin, por frika që do të pësonin vendësit, i ndalonte. Pas çdo aksioni të armatosur këtu, sërish ktheheshin në Shqipëri.
Dergja e thanë lisin dhe e plas shkëmbin. Edhe Shtatselvinë e zuri e shkreta gangrenë. Ia brente dorën dhe këmbën. Çdo ditë e më shumë. I kërkoi ndihmë edhe Mbretit. Letër i shkroi, por ai u bë i shurdhër. Një ditë, e sëmurë dhe sedërthyer, e braktisi spitalin e Tiranës.
Korrik 1927. Java e dytë. Derveni i Fushë-Krujës gdhiu në zi. Nga shtëpia përdhese vinte gjëma. Nusja e Maleve kishte vdekur. Lumi mortor rritej. Në ballë Plaku dhe jetimët. Pas tyre kosovarët dhe mbarë Shqipëria. U mbajtën fjalime e u recituan poezi. I nipi, Imer Halili, me një shishe në dorë, e lëshoi në pranë kufomës dhe e mbuluan me dhe. Mbi varr kurora e tufa lulesh. Më 1962, në saje të shishes, e gjetën shumë lehtë dhe e rivarrosen në Fushë- Krujë.
E dogji malli për Kosovën
Jeta e hidhur e Plakut të Çetës u përmbush plot vuajtje, mjerime e sakrifica mbinjerëzore. Stuhitë dhe rrebeshet shkatërrimtare e lanë fare të vetmuar. Shotën ia mori mortja, jetimët vazhduan shkollimin e shokët ia degdisi mjerimi. Të vetmen vajzë, Ajmanen e solli nga Galica dhe e martoi te Sadri Aliaj i Vitakut në Mamurras.
Dhe, thonë, fatit nuk i dihet. Dera duhet lenë hapur se mund të të trokas edhe në mbrëmje. Kështu i ngjau edhe këtij burri, që tërë familjen e shkriu për liri. Tamam kur mendoi se çdo gjë mori fund, i buzëqeshi fati. U martua me Halime Mavriçin dhe krijoi familje të re. Dy vajza u vdiqën motake. E treta, Alemja, u rrit. Më 1937, shtëpia përdhese u trand nga gëzimi. U lindi një djalë. Gjithë Derveni u gëzua. Azem e pagëzuan, se dashuria për Kapedanin qe e madhe.
Më 1941 u përtëri fare. Sa nuk fluturonte nga gëzimi. Do të kthehej në vendlindje. Dhe, nuk qetësohej dot. Zemra i doli nga vendi. U turbullua dhe ra në shtrat. I shkroi letër bukëpjekësit të Fushë-Krujës që t’ia dërgonte barin e vrerit, por kot. Vdekja nuk ia fali minutën. E rrëmbeu në muajin e bukur të luleve dhe ia ndërpreu rrugën për në Kosovën e dashur.
-Ne mbetëm keq, – rrëfen sot Azem Hyseni, arsimtar, që jeton në Mitrovicë. Kur vdiq babai, unë isha tre vjeç e gjysmë. Ishim përgatitur për t’u kthyer dhe nuk na zihej vendi vend. Djali i axhës, Nuredini, erdhi e na mori. Kur arritëm në Galicë, të gjithë qanin nga gëzimi. Unë vetëm i shikoja, s’dija çka po ndodhte. Në shtëpi e gjetëm kolonistin. Kur na pa ne, mblodhi plaçkat dhe theu qafën. Aty nisi një jetë e re…
Bujku, e enjte, 31 korrik 1997.