Planet e Millosheviqit për ta eliminuar politikisht Ivan Stamboliqin (3)

11 dhjetor 2024 | 12:04

Anatomia e nazizmit serb: Slobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (3)

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Fillimi i spastrimeve politike në Serbi, konfrontimet për Kosovën

Zgjedhja e Millosheviqit për kryetar nuk ishte pranuar me entuziazëm në radhët e delegatëve të Kongresit të KQ të LK të Serbisë, mbajtur në Qendrën Sava në Beograd. Madje në mesin e atyre që në atë mbledhje u zgjodhën anëtar të KQ të LK të Serbisë, Millosheviqi ishte me më së paku vota. Për te, nga 1354 delegatë kishin votuar gjithsejtë 1281 delegatë. Zgjedhja e tij për kryetar të KQ të LKS-së, madje ishte përshëndetur me një duartrokitje të ftohtë, në sallën në të cilën shumë shpejt dhe për shumë vite me radhë do të pritej me ngritje në këmbë dhe duartrokitje frenetike.
Askush nuk mund ti paramendonte në ato ditë, qëllimet e Millosheviqit dhe aspiratat e tij që në Serbi të jetë njeriu i parë, personaliteti kryesor politik e nacional, i ashtuquajturi vozhdi serb, duke imituar me këtë rast madje Car Llazarin, Car Dushanin e carët të tjerë. Ndoshta, realisht, ai kishte mundur ta paramendonte veten si njeriu i dytë në Serbi, në cilësi të bashkëpunëtorit të Ivan Stamboliqit. Mirëpo, bashkëpunëtorëve të tij dhe vetë atyre që e kishin përkrahur dhe avancuar deri në atë post, nuk do t’ju kishte shkuar mendja se ai vërtet ka për qëllim që të imponohet si njeriu udhëheqës i kombit serb. Por, Millosheviqi nuk e lodhte mendjen për prognoza të tilla, ai tani më në rrugën drejt qëllimit, majave të pushtetit nuk ndjente respekt as për Ivan Stamboliqin, shokun dhe përkrahësin më të madh të tij.

Ai ishte mjaft dinak edhe në këtë plan. Ai mendonte ndryshe nga bashkëkohanikët e tij. Udhëhiqej nga logjika e prijësit, nga logjika e biznesit, prandaj edhe miqësisë i afrohej vetëm mbi bazat e interesit. Së fundi, pse ai të ishte i varur nga dikush tjetër dhe në shërbim të ndonjë personaliteti tjetër, kur vlerësonte se vetë mund të bëhej kult i personalitetit politik dhe nacional serb rreth të cilit tjerët do të silleshin. Fuqia e udhëheqësit partiak serb atij i jepte shumë favore. Ai këtë e dinte. E ndjente dhe me çdo kusht edhe dëshironte ta shfrytëzonte, kjo pavarësisht mjeteve. Në këtë rrugë, kishte vlerësuar se Ivan Stamboliqin mund ta ketë konkurrent, prandaj që prej atyre ditëve e kishte cilësuar edhe si kundërshtar të mundshëm politik. Stamboliqi i ri ndërkaq, e kishte kuptuar shumë shpejt se, ambiciet politike dhe pushtetore të Millosheviqit mund ti konfrontojnë dy miqtë e vjetër, mirëpo as atij nuk i kishte shkuar mendja se në fakt Millosheviqi tani më ishte në fillim të rrugës, të ngritjes dhe ishte tepër vonë për ta ndalur.

Kronistët e ngjarjeve të asaj kohe në Serbi shënojnë rastin kur në një pritje të Vitit të Ri, Mirjana Markoviq i ishte afruar bashkëshortit të saj, Millosheviqit dhe i kishte pëshpëritur se “Ivani po flet shumë! Duhet të ndërmarrim diçka”!?
Nuk kishin kaluar shumë ditë dhe, edhe pse kjo pritje ishte mbajtur para se Slobodan Millosheviqi të zgjedhej për kryetar të KQ të LK të Serbisë, Millosheviqi posa ishte zgjedhur në postin e kryetarit, menjëherë i ishte përveshur punës që ta eliminonte nga pushteti Ivan Stamboliqin. Me këtë, po fillonte një periudhë e re, dramatike e përmasave policore dhe jo vetëm politike, e intrigave dhe lojërave të shumta politike, përkatësisht e spastrimeve politike fillimisht në Serbi e më pas edhe në Kosovë, Vojvodinë, Mal të Zi dhe në disa nivele edhe të federatës jugosllave. Millosheviqi e kishte formuar ekipin e vet, prej njerëzve lojal atij, të dëgjueshëm dhe të paskrupullt në zbatimin e politikës së vozhdit të ri serb. Për këtë qëllim, gjithkush që do të vihej si pengesë e realizimit të politikës milosheviqiane, duhej të eliminohej politikisht, por qe nevoja edhe fizikisht. Në këtë plan, pra në aspektin e përdorimit të metodave jo vetëm politike, por edhe policeske, për realizimin e politikës së vet, Millosheviqi përdorte edhe metoda të njohura që nga koha e nazizmit gjerman. Bërthamën e ekipit të Millosheviqit, disa prej të cilëve Ivan Stamboliqi i kishte larguar, mënjanuar, e përbënin: gjenerali Nikola Lubiqiq, Bogdan Trifunoviq, Dushan Miteviq, Borisav Joviq, Radmila Angjelkoviq, Zoran Sokoloviq (ka vetëvra veten pas rënies së Millosheviqit nga pushteti) Zhivorad Minoviq dhe grupi i fuqishëm e profesorëve të Universitetit të Beogradit me në krye Radosh Smilkoviqin, grup ky i cili ishte futur në Komitetin e Qytetit të Beogradit. Ndërkaq, Dobrivoje Vidiqi, Dushan Shkrebiqi dhe gjenerali Petar Graqanin ishin në rolin e aleatëve të Milosheviqit, mirëpo prapa tyre ishte Mirjana Markoviq. Vleresohet se Mirjana Markoviq ishte bashkëpunëtori kryesor, më i afërt, më besnik e tij, me ndikimin më të fuqishëm te Millosheviqi. Ai ishte këshilltar i tij politik, ajo në të shumtën e rasteve ia shkruante fjalimet, ajo e udhëzonte për veprime politike, ajo madje ishte iniciatorja kryesore që e kishte bindur Millosheviqi që ai ti prish lidhjet me Ivan Stamboliqin duke u kthyer kundër tij. Mirjana Markoviq, ishte ideloge e krijimit të fraksionit politik, përbrenda KQ të LK të Serbisë dhe vet udhëheqjes shtetërore serbe, e cila luftë fraksioniste kishte marrë hov në pranverë të vitit 1987.

Memorandumi i akademisë serbe dhe ideologjia e “Ribashkimit të Serbisë”!

Një analizë detaje e ardhjes në pushtet të Millosheviqit gjithashtu dëshmon se, shkatërrimi me dhunë i ish shtetit jugosllav dhe vendosja e diktaturës së regjimit serb, i cili është përgjegjës për luftërat në ish Jugosllavi nuk do të mund të ishte realizuar nëse vet Millosheviqi dhe përkrahësit e tij të, mos ishin lidhur ngusht me struktura institucionale serbe, nisur nga ASSHA, Shoqata e shkrimtareve, qarqe te tjera ne universitet, në elitën intelektuale serbe, në Armatën Jugosllave, policinë sekrete e kështu me radhë. S’ka dyshim, lidhja e tij e ngushtë dhe e drejtpërdrejt me ASSHA si dhe ndikimet reciproke në këto relacione janë një segment i rëndësishëm i ndriçimit dhe zbërthimit të nacionalsocializmit serb gjatë kohës së pushtetit miloshiviqian. Pra, roli i Millosheviqit në konfliktin në Jugosllavi nuk mund të kuptohet jashtë kornizave të qëllimeve të tij politike dhe ambientit ideologjik të regjimit të tij. Në këtë kuptim mund të vlerësohet se Memorandumi i ASSHA i përgatitur në vitin 1985 dhe i bërë publik në vitin 1986, paraqet bazë të rëndësishme, qendrore ideologjike për eksplikimin, frymëzimin dhe zbatimin e programit nacionalsocialit të regjimit serb të cilit i printe Millosheviqi. Veprimtaria e tij politike e atyre viteve të sundimit, që u përmbyllen me luftërat në hapësirat e Jugosllavisë, është drejtpërdrejt e ndërlidhur me programin e Memorandumit serb. Memorandumi i vitit 1986 i ndihmoi Millosheviqit që ta instrumentalizoi deri në fund, maksimalisht nacionalizmin serb dhe sidomos racizmin antishqiptar i cili kulmoi me aparthejdin e vendosur në Kosovë nga ana e regjimit serb dhe politikën shfarosëse serbe ndaj popullit shqiptar. Në esencë, Memorandumi ishte sintezë e elitës intelektuale serbe që përmblidhte propagandën raciste antishqiptare e cila po zhvillohej nga dita në ditë, duke filluar që nga viti 1981, aso kohe nga faktorët institucional me ndikim në shoqërinë serbe, si shkrimtarët, klerikë, shkencëtar, politikaj, media etj. Natyrisht, kjo politikë dhe ideologji nacionaliste serbe, ky program antishqiptar, i cili në vete ngërthente edhe porositë e Memorandumeve të mëherëshme serbe, në rastin e Memorandumit serb të vitit 1986 ishte përmbledhur në mënyrë efektive dhe prapa ti qëndronin instancat më të larta shkencore të Serbisë. Kuptohet, Memorandumi përkrahej nga politika aktuale serbe, nga regjimi millosheviqian i cili nga memorandumi në fjalë nxirrte jo vetëm porosi, por edhe frymëzime dhe detyra konkrete për zbatimin e politikës së caktuar, në radhë të parë në raport me popullin shqiptar në Kosovë.

Studimi analitik i Memorandumit serb të vitit 1986 tregon se vlerësimet, konkludimet dhe porositë e tij kishin pasur ndikim, efekt të madh në formësimin e opinionit të atëhershëm publik serb, në veçanti tek shtresat intelektuale, te regjimi aktual duke e bërë këtë Memorandum në një kuptim udhërrëfyes të programit nacionalsocialist të regjimit Millosheviqian. Memorandumi pra ishte udhërrëfyes për synimet e regjimti serb, duke pasur si objektiv të parë themelor dhe kryesor realizimin e ideologjisë serbe e formësuar në programin nacional serbe përmes koncepteve si “interesi nacional serb”, si “komb – shtet”, “bashkim i regjioneve etnike”, “bashkimi kombit serb” etj. Memorandumi, i cili për herë të parë u botua në gazetën e përditshme serbe, “Veçernje Novosti”, theksin e intrigave e kishte drejtuar, në radhë të parë kah populli shqiptar, ai slloven dhe kroat të cilët i akuzonte për pozitën e vështir ekonomike, politike, kushtetuese, kulturore etj në të cilën gjoja gjendej popull serb. Në fakt, Memorandumi që ndryshe ishte doktrinë shpirtërore serbe e kohës, synonte që në rrethanat e krijuara pas vdekjes së Titos, populli serb edhe më fuqishëm të siguroj një pozicion të privilegjuar të kombit kryesor në hapësirat e Jugosllavisë. Memorandumi në veçanti kishte instrumentalizuar frikën e rrejshme, të shpifur nga gjenocidi dhe në këtë pretendim veçmas ishte kriminalizuar popullata shqiptare.
S’ka dyshim se formulimet e tilla në Memorandum, që për bazë kishin ideologjinë hegjemoniste serbe, dhe shikuar më larg, programin e njohur pansllavist të Naçertanisë së Ilia Garashaninit, për kohën, ishin bërë një kushtrim për përdorimin e lejueshëm të dhunës shtetërore serbe mbi popullin shqiptar dhe jo vetëm atë.

Memorandumi, i cili u bë mjet politik, frymëzim shpirtëror për veprimet politike dhe më vonë edhe policoro – ushtarake të regjimit të Millosheviqit, kishte shtruar edhe çështjen e revidimit te kushtetutës së vitit 1974, “Ribashkimin e Serbisë”, “luftimin e agresionit shqiptar”, krejt kjo përmes “shpalljes së luftës”, përmes “luftës revlucionare”, përmes “konfrontimit të hapur”.

Edhe gjuha e përdorur në Memorandum më vonë u bë gjuhë e regjimit serb të kohës, e cila gjuhë me të drejtë vlerësohej si një gjuhë e agresionit, e terrorit, si helm mbi masat e gjëra, që nuk la pa përfshi mendimin politik serb. Vlerësohej se gjuha e tillë e urrejtjes patologjike veçmas ndaj popullatës shqiptare, kishte depërtuar me tërë agresivitetin e vet, edhe tek rinia dhe fëmijët serbë. S’ka dyshim se historia mëson se përdorimi i gjuhës së tillë, është rezultat i regjimeve totalitare, ndaj gjuha e Memorandumit, që u bë gjuhë edhe e vet Millosheviqit, e kishte rolin e madh për përgatitjen mendore, psikologjike dhe përgjithësisht shpirtërore të krimit serb. Gjuha e përdorur në Memorandum synonte krijimin dhe thellimin e konfuzionit total në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, intelektuale, politike e psikologjike të kohës synonte indoktrinimin e popullatës serbe me ideologji naziste antishqiptare, dhe nga ana tjetër synonte të frikësonte, pra edhe përmes retorikës naziste, popullatën shqiptare nga e ardhmja e saj e pasigurt në vend, pra paralajmëronte agresionin ushtarak – policor serb. Madje përmes gjuhës së kërcënimeve të Memorandumit, paralajmërohej edhe zhdukja fizike dhe dëbimi përtej i shqiptarëve, siç thoshte Vojislav Shesheli, Bjeshkeve te Nemura. Konstruktet gjuhësore në Memorandum ishin të tilla, që propagonin frikën, rrezikun, që shërbenin për thirrje deri në eliminim fizik të shqiptarëve por edhe të bashkësive tjera etnike jo serbe. Përdorimi i nocioneve dhe frazeologjive të tilla në Memorandum përfshinte kryesisht tri rrafshe: gjendjen ekonomike të Serbisë, statusin e kombit serb në federatën jugosllave dhe “gjenocidin” e këtij populli në Kosovë.

Memorandumi shtronte tezën se Serbia, në krahasim me Slloveninë dhe Kroacinë ishte republika më e pazhvilluar në Jugosllavi, se një gjendje e tillë diskriminues ndaj Serbisë ishte gjoja rezultat i dominimit të dy ish republikave të Veriut të Jugosllavisë, të cilat, siç shkruhet në Memorandum kishin bërë dominim politik dhe ekonomik. Madje sikur pas Luftës së Dytë Botërore kontrollin mbi gjendjen në PKJ e kishin marrë kroati Tito dhe slloveni Kardel, dhe se ata, gjithnjë sipas akademikëve serbë kishin krijuar “koalicionin antiserb”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Bayer Leverkusen, Xavi Alonso është shprehur i kënaqur…