Plani i Gjermanisë për punëtorët e kualifikuar
Ministrja e Brendshme Faeser dhe Ministri i Punës Heil duan të trajtojnë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar me një ligj të ri imigracioni. Do të jetë e mundur që diplomat të njihen pas hyrjes në Gjermani.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser dhe Ministri Federal i Punës Hubertus Heil kanë skicuar parimet bazë të një ligji të ri të imigracionit për të eleminuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. “Ne po i japim fund një politike migracioni të formësuar nga CDU dhe CSU, e cila ka mohuar realitetin e vendit tonë të imigracionit dhe ka dëmtuar kështu Gjermaninë si zonë ekonomike”, shkruajnë ata në një artikull të përbashkët për “Handelsblatt”. Sistemi i imigracionit është “shumë i ngadalshëm, shumë burokratik, shumë refuzues”.
Procedura e njohjes paralelisht me punën
Në artikullin e tyre, dy politikanët socialdemokratë bëjnë të ditur se duan të hapin tregun e punës për profesionistët që kanë kontratë pune, por të cilëve ende nuk u është njohur diploma në Gjermani. Ministrat propozojnë që këtë diplomë ata ta marrin më vonë me ndihmën e punëdhënësit gjerman. Ndryshe nga situata aktuale, dëshmia e diplomës dhe përvojës profesionale duhet të jetë e mjaftueshme për të hyrë në Gjermani. Procedura e njohjes mund të kryhet më pas, pas hyrjes në Gjermani dhe paralelisht me punën.
Sipas informacionit, planet e Faeser-it dhe Heil-it shkojnë edhe më tej. Kështu, njerëzit me përvojë duhet të jenë në gjendje të hyjnë në Gjermani për të kërkuar punë, edhe pa një kontratë pune, me dy kushte: ata duhet të kenë të konfirmuar që pa hyrë në Gjermani se diploma e tyre është të paktën pjesërisht e krahasueshme me një diplomë gjermane dhe të provojnë se janë në gjendje të ushqejnë veten.
Kufiri minimal për “Blue Card” duhet të ulet
Ky është një hap drejt një “karte shansesh” që SPD, të Gjelbërit dhe FDP-ja duan të prezantojnë para përfundimit të legjislaturës. Koalicioni qeveritar dëshiron gjithashtu të lehtësojë imigrimin e punëtorëve të kualifikuar, kualifikimet e të cilëve tashmë janë njohur. Kjo duhet të bëjë të mundur në të ardhmen ushtrimin e një profesioni jo të specialitetit, për sa kohë që dikush ka një kualifikim profesional të njohur në Gjermani.
Përveç kësaj, të rinjtë e diplomuar nuk do të pritet më të fitojnë aq shumë sa profesionistët me përvojë, në mënyrë që të mund të hyjnë në Gjermani me një “kartë blu”. “Ne po ulim kufijtë e pagave për ta. Kjo e bën më të lehtë për të rinjtë e mirëarsimuar të hyjnë në jetën e punës në Gjermani,” shpjegojnë Faeser dhe Heil. Aktualisht, kufiri minimal i pagës është 56.400 euro bruto në vit.
Pritet largimi i miliona punëtorëve
Presidenti i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK), Peter Adrian i përshëndeti planet: “Ne duhet të kompensojmë zhdukjen e katër deri në pesë milionë punëtorëve në Gjermani gjatë dhjetë viteve të ardhshme për shkak të demografisë”, i tha ai gazetës.
Qeveria gjermane planifikon të ndryshojë Ligjin e Imigrimit të Fuqisë Punëtore të Kualifikuar, që ka hyrë në fuqi që nga 1 marsi 2020. Qëllimi është të lehtësohet ardhja e profesionistëve të aftë nga vendet e treta, edhe sipas nevojave të ekonomisë./DW