Plani i organizatorëve të Olimpiadës ‘Paris 2024’, flaka olimpike në Kullën Eiffel
Organizatorët e Lojërave Olimpike “Paris 2024” po përpiqen ta vendosin pishtarin me flakën olimpike në Kullën Eiffel. Lajmin e konfirmoi për “Reuters” një nga anëtarët e stafit organizator të Olimpiadës që nis pas 15 muajsh në Paris (26 korrik-11 gusht 2024).
Burimi shtoi se flaka nuk do të vihej në majë të Kullës Eifel për arsye teknike dhe nuk është ende e qartë nëse ajo do të qëndronte në monument gjatë gjithë lojërave. Gjithsesi, kombinimi i dy imazheve të tilla ikonike si flaka olimpike dhe Kulla Eifel do të ishte një sfond i jashtëzakonshëm.
“U bënë gati dy vjet që punojmë për këtë ide. Vendi për ndezjen e flakës në ditën e hapjes së Lojërave Olimpike nuk është vendosur ende”, tha burimi, që shtoi se flaka nuk mund të qëndrojë në majë të kullës për shkak të antenave të instaluara tashmë atje. Pishtari me flakën olimpike do të mbërrijë në Francë përmes qytetit-port të Marsejës më 8 maj 2024. Ajo do të transportohet me anije nga Athina, ku dhe zhvillohet ceremonia e ndezjes së saj, duke udhëtuar për 10 ditë përmes Detit Mesdhe.