Plani i Perezit për trajnerin e ri të Realit
Florentino Perez vazhdon punën për të gjetur një trajner të madh për Realin e Madridit. Santiago Solari vazhdon i qetë punën e tij në stolin e ekipit “merengues”, por kreu i klubit e ka gati planin e tij.
Ai dëshiron të rikthejë Jose Mourinho në Madrid dhe e sheh portugezin si njeriun e duhur për të rikthyer ekipin në “shinat” e duhura. Siç citon “OKDIARIO”, Mourinho mund të rikthehet te Reali si trajner i parë dhe ndihmësi i tij do të jetë Ksabi Alonso. “Për sezonin e ardhshëm, plani është rikthimi i Mourinhos, me Ksabi Alonson si ndihmës të tij”, shkruan portali spanjoll.
Ish-mesfushori, i cili ka një lidhje të fortë me trajnerin e Unitedit, ka nisur karrierën si trajner, ndërsa Perez dëshiron ta shohë afër Mourinhos. Pak a shumë si në rastin e Zinedin Zidan, i cili punoi si ndihmës i Ancelottit për të marrë pastaj drejtimin e Realit dhe për të shkruar historinë me fitimin e 3 Champions-ëve rresht.