Plani i Serbisë për të inskenuar krizë humanitare në veri dështoi, të mërkurën hapen dyqanet
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se përfundimisht plani i Serbisë për të inskenuar krizë humanitare në veri ka dështuar, pasi që së shpejti do të filloj hapja e supermarketeve dhe lokaleve të ndryshme, disa prej të cilave do të hapen qysh nesër.
“Falënderoj Qeverinë e Kosovës për vendimin që të hapen pika shitëse me artikuj ushqimor në veri. Pas bashkëpunimit tim me ministrin Endrit Shala, këtij aksioni i janë bashkëngjitur edhe bizneset nga jugut i Mitrovicës. Me këtë rast i falënderoj gjitha bizneset për kontributin e dhënë”, ka shkruar Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se dështimi i këtij plani destruktiv dhe destabilizues nga Serbia, tregon se shteti i Kosovës kur është i vendosur mund të mos lejoj ndërhyrje të shteteve që nuk na e duan të mirën, e aq më pak ndërhyrje nga Serbia.
“Apeloj tek qytetarët e veriut që më asnjëherë të mos bien në grackën e njerëzve destruktiv, por të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, ka shkruar Bahtiri.