Plani i Stalinit (si Putini…) për Evropën dhe copëtimin e Gjermanisë
Në librin “Berlin 1945 – Maji i fitores”, ambasadori Bashkim Zeneli, Mjeshtër i Madh, na risjell atmosferën euforike që kishte pushtuar udhëheqësin komunist të Bashkimit Sovjetik, Stalinin, gjatë Konferencës së Postdamit, ku do të vendosej fati i Gjermanisë naziste, humbëse e Luftës së Dytë Botërore.
Me arrogancë dhe cinizëm ndaj popullit gjerman, Stalini kërkontë të hidhte poshtë çdo marrëveshje të mëparshme dhe të copëtonte Gjermaninë, me përvetësimin e pjesës më të madhe, këtë duke ia bashkuar Bashkimit Sovjetik. Si për ironi të faktit, 77 vjet pas Potsdamit, kemi një tjetër udhëheqës rus, Vladimir Putinin, i cili, me agresionin ndaj Ukrahinës, po kërkon një Jaltë dhe një Postdam të dytë, duke kërkuar aneksimin e territoreve të tëra nga vendi fqinj.
Më 11 maj 1945, vetëm pak ditë mbas fitores mbi nazifashizmin, Presidenti amerikan Harry Truman miratoi planin e hartuar nga shefat e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, të 26 prillit, që u konsiderua si direktiva YCS1067. Në thelb, plani përmbante politikën amerikane në zonën e pushtimit. Kjo direktivë, së pari, bënte përgjegjës udhëheqjen naziste që shkatërroi totalisht ekonominë gjermane dhe e futi vendin në një kaos të jashtëzakonshëm.
Së dyti, në të theksohej se “Gjermania nuk pushtohet për shkak të çlirimit të saj, por si një shtet i mundur armik” dhe së treti, “Qëllimi kryesor i aleatëve është të pengojë Gjermaninë të kërcënojë përsëri paqen botërore”. Politika e shteteve fituese në zonat e pushtimit, apo të administruara prej tyre, kishte për qëllim: Demilitarizimin, denazistifikimin, decentralizimin dhe demokratizimin. Më vonë, në janar 1946, ky qëndrim u shoqërua edhe mbi bazën e Protokollit të Potsdamit, me direktivat dhe mekanizmat e nevojshëm për denazistifikimin e shoqërisë gjermane.
Ato u përfshinë të detajuara në Direktivën N24 të Këshillit të Kontrollit të Aleatëve. Konferenca e Potsdamit u mbajt nga 17 korriku deri më 2 gusht 1945. Koalicioni antifashist fitues do të vendoste menjëherë, për të ardhmen e Gjermanisë së mundur. Potsdami është kryeqyteti i landit të Brandenburgut, ku ndodhet edhe Berlini, por që është land më vete. Potsdami ishte vetëm disa kilometra nga Berlini. E kam vizituar me dhjetëra herë këtë qytet historik, edhe për shkak të shoqërimit për interesin që shfaqnin shumë miq të mij që vinin nga Shqipëria në Berlin. Por, edhe delegacionet zyrtare tonat, përgjithësisht kishin të programuar nga protokolli i shtetit një vizitë në këtë qytet. Ka pafundësisht botime, libra, albume, dokumentarë që flasin për këtë qytet e sidomos për konferencën që mori emrin e Potsdamit.
Padyshim mrekullia e Potsdamit është kështjella dhe pallati siç quhet, Sanssousi, rezidenca verore e princeshës së fundit të kurorës Cecilien Hof. Aty u organizua mbledhja e 3 fuqive të mëdha, fituese të luftës kundër nazi-fashizmit. Në atë dhomë jo shumë të madhe, ndodhet çdo gjë si në ato ditë të mbledhjes, edhe penat, edhe boja që u hodh mbi atë marrëveshje, sigurisht historike, që në radhë të parë simbolizon mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, fitoren e madhe të popujve dhe vendeve të koalicionit antifashist.
Por në një farë mënyrë, edhe me veprimet politike të mëvonshme, Konferenca e Potsdamit shënon edhe fillimin e ndarjeve të reja, ndëshkimin e merituar për Gjermaninë, por edhe ndarjen e pamerituar të saj. Në vitet e mëvonshme, duket se Potsdami do të ishte edhe pikënisja e një ndarjeje të madhe, të gjatë, të lodhshme, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Evropën. Aty duket se zuri fill edhe fillimi i Luftës së Ftohtë, i ndarjes së sistemeve, i demokracisë dhe diktaturës. Aty zë fill edhe ndërtimi i Murit famëkeq të Berlinit, që u ngrit si një perde e hekurt që fliste aq shumë për ndarjen, për përplasjen, për inatet, për mëritë, për dramat, për lotët, për vrasjet, deri në shembjen e tij, pas 44 vjetësh, po aty, fare afër Potsdamit, në Berlin. Në Potsdam ishte vendosur aleanca e fshehtë midis Rusisë dhe Prusisë.
Në Potsdam ishte zhvilluar në vitin 1933 konferenca që pati si qëllim të dokumentonte legjitimitetin e vazhdimësisë së regjimit të Hitlerit me historinë e Prusisë. Në Potsdam u ulën Presidenti amerikan Truman, udhëheqësi sovjetik Stalin dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe Churchill. Ndonëse ishte biseduar edhe në takimet e mëparshme, aty u vendos edhe ndarja e Gjermanisë në zonat e pushtimit. Më pas, këtyre 3 zonave u bashkohet edhe Franca. Zona sovjetike do të ishte në pjesën lindore, nga veriu në jug, zona amerikane në pjesën qendrore e në Jug, zona franceze në jug-perëndim dhe ajo britanike në pjesën veriperëndimore.
Dhe po kështu, në 4 sektorë u nda edhe Berlini dhe përsëri pjesën e tij lindore e morën sovjetikët, një territor gati-gati sa 3 aleatët së bashku. Secila fuqi do të administronte nën përgjegjësinë e vet atë pjesë të territorit që i ishte dhënë. Kjo ndarje natyrisht do të përcaktonte që në fillim edhe rendin e ri politik të pasluftës, socializmin dhe kapitalizmin, diktaturën dhe demokracinë. Lindja e Gjermanisë, e pushtuar e jo thjesht e administruar nga sovjetikët, përjetoi për 45 vjet vendosjen e sistemit socialist dhe diktaturën komuniste, si pjesë e një blloku të tërë lindor komunist të pasluftës.
Ndërsa në perëndim të Gjermanisë, ku ishin vendosur 3 fuqitë perëndimore, Franca, SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisi ndërtimi demokracisë, i shtetit të së drejtës, i ekonomisë së tregut, i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. “Aleatët – thuhet në deklaratën e Konferencës, donin t’i jepnin popullit gjerman mundësinë për një fillim të ri, në paqe dhe në liri.” Shtëpia e Bardhë, që përfaqësohej nga Presidenti Truman, ishte vendosur në Kaiserstrase 2, Kryeministri britanik Churchill kishte rezidencën në Ringstrase 23. Ajo kishte qenë vila e Ministrit nazist Funk.
Të dy këto rezidenca ishin jashtë Potsdamit, në Babelsberg, Nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe ishin akredituar 150 gazetarë. Por, edhe pas protestave të shumta, ata nuk u lejuan të qëndrojnë në sallën e konferencës, por vetëm për pak minuta të fillimit. Ndërsa sovjetikët e konsideronin veten si në shtëpinë e tyre… Por, edhe Presidenti Truman, po kështu e konsideronte veten. Stalini e konsideronte Potsdamin si pjesë të zonës së tij të pushtimit. Vendi i mbledhjes ishte rrethuar nga forca të jashtëzakonshme ushtarake, me radhë të gjatë telash, por edhe me kulla vrojtimi. Sovjetikët u drejtoheshin amerikanëve dhe britanikëve me “Mirëserdhët në shtëpinë tonë”…
Të parët në Potsdam erdhën Presidenti Truman dhe Kryeministri Churchill, ndërsa Stalini erdhi 24 orë më vonë. Filluan edhe reagimet e para protokollare: “Amerikanët dhe britanikët, me anë të një note sovjetike, u këshilluan miqësisht që të mos i drejtoheshin udhëheqësit sovjetik me “Mareshali Stalin” siç ishte bërë në Jaltë, por me titullin “Gjeneralizëm”. Në çdo veprim, para por edhe gjatë konferencës, sovjetikët përpiqeshin ta tregonin veten si fitues të vetëm ndaj Hitlerit, ndonëse pa asnjë diskutim, kishin luajtur rolin kryesor dhe kishin mbajtur peshën më të madhe të luftës. Por, këto ishin shenja aspak të mira për të ardhmen e bashkëpunimit me aleatët perëndimorë…
Në fillim të mbledhjes, Stalini paraqiti një tablo të humbjeve në luftë. Ato ishin edhe tregues i së drejtës për të qenë “zot shtëpie” në këtë konferencë, ndonëse faktet e paraqitura ishin tronditëse: “Përveç 21 milionë të rënëve, në Bashkimin Sovjetik ishin shkatërruar plotësisht dhe pjesërisht 1710 qytete, midis të cilëve Stalingradi, Sevastopoli, Kievi, Leningradi, Odesa, Minsku, Surolensku, etj., 70 mijë fshatra ishin shkrumbuar krejtësisht, 30 milion vetë kishin mbetur pa strehë, 64 mijë km hekurudhë, 815 fabrika, 13 mijë ura, nuk ekzistonin më”. Presidenti amerikan Truman që aty u shfaq i gatshëm për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik në rindërtimin e vendit. Ai shpresonte se komunizmi, pas luftës, do të liberalizohej, në kuptimin e një zhvillimi dhe se kushtet për paqe e qetësi në botë, për të ardhmen e saj, do të afronin Bashkimin Sovjetik me demokracitë perëndimore, sidomos me SHBA-në.
Por, historia e mëvonshme tregoi qartë se Stalini vendosi ndryshe: vija për të ardhmen e historisë së vendeve dhe popujve do të përcaktohej prej tij, nga një njeri i vetëm! Fitorja e luftës kundër nazi-fashizmit e kishte glorifikuar si kurrkush emrin dhe kultin e tij. Mareshalët dhe gjeneralët heronj të luftës së madhe patriotike, u quajtën të gjithë nxënës të Stalinit, që ishin rritur të tillë në saj të udhëheqjes së ndritur të Stalinit. Kjo frymë do të dominonte punimet e konferencës, që nisin në 17 korrik 1945, në orën 17:00, në atë tavolinë të madhe, të rrumbullakët. Po atë ditë, para mbylljes së punimeve të para, Presidenti amerikan Truman njoftohet nga ministri i tij i Luftës, Henry Stimson, se “Fëmija kishte lindur i shëndetshëm dhe mjekët ishin shumë të kënaqur”.
Bëhej fjalë për provën me sukses të bombës atomike në Sierra të Neë Mexico”. Ky lajm e gëzon pa masë Presidentin amerikan Truman, por ai i deklaron bashkëpunëtorëve të tij se: “Do të presë deri më 24 korrik dhe pastaj do t’i them Stalinit se prodhuam një bombë me fuqi të jashtëzakonshme”. Që në ditën e parë, filluan përplasjet midis sovjetikëve dhe amerikanëve e britanikëve. Mbledhja nisi me një pyetje që fliste vërtet shumë, për ato ditë, por mbi të gjitha për të ardhmen. Çfarë është Gjermania? Truman dhe ministri i tij i Jashtëm, James Byrnes, por edhe Churchill dhe ministri i tij i Jashtëm Anthony Eden, shfaqën mendimin se Gjermania duhej trajtuar njëlloj si gjatë kohës së Traktatit të Versajës, si në vitin 1937, para nisjes së luftës dhe ekspansionit të Hitlerit. Stalini kundërshton prerë. Ai deklaron se nuk e njeh Traktatin e Versajës.
Gjermania konsiderohej kështu si një vend jo vetëm humbës e pa qeveri, por edhe pa kufij të përcaktuar. Dhe mund të thuhet pa rezervë se më këtë konceptim dhe më këtë qëndrim, fillon jo vetëm ndarja e Gjermanisë, që do të zgjaste shumë, për afro 5 dekada, por edhe e botës. U fol për kufijtë lindorë, me Poloninë, kufijtë me vendet e Baltikut… sipas Carit rus Nikolai i Dytë. Në këtë debat, që nuk kishte pra të bënte thjesht me ndarjen e Gjermanisë së mundur, diskutimi më i vështirë e ku Stalini nuk toleroi as edhe një centimetër, ishin kufijtë me Poloninë.
Një e pesta e Gjermanisë, me një sipërfaqe prej 120 mijë km/katrorë iu hoq asaj… U shkelën kështu hapur dhe me prepotencë edhe marrëveshjet kornizë të Teheranit dhe Jaltës. Bashkëpunimi në luftë, për sovjetikët i kishte lënë vendin ndarjes së tortës. Zonat e tyre jo thjesht të influencës, por të pushtimeve të ardhshme, po dukeshin qartë në Potsdam, në ato ditë të mbledhjes. Truman dhe Churchill protestojnë për kufijtë me Poloninë. Shteti polak ishte konsistuar vetëm një muaj më parë dhe president i vendit ishte zgjedhur, me mashën sovjetike, Bolestav Beirut.
Do të vazhdonte më tej ndikimi i plotë sovjetik në të gjithë lindjen evropiane. U kthyen në vende socialiste, me sistemin e një partie-shtet, me sistemin e diktaturës së proletariatit edhe vende të tilla si Bullgaria, Rumania, Çekosllovakia, Hungaria, Jugosllavia, por edhe Shqipëria, që nuk e kishte njohur komunizmin para lufte. Në krye të shtetit dhe të qeverive të këtyre vendeve u vendosën komunistë nga më besnikët ndaj Moskës, ish-anëtarë të Komitetit, apo të shkolluar e indoktrinuar në Bashkimin Sovjetik.
Më tej, kjo do të pasonte edhe konsolidimin e bllokut sovjetik, përfshirjen e këtij blloku në Traktatin e Varshavës, nën komandën e Moskës. Ndarja e Evropës në dy sisteme, socialist dhe kapitalist, u bë një realitet jo vetëm i gjatë, por mbi të gjitha, i dhimbshëm, tragjik… Vetëm 7 muaj nga Konferenca e Potsdamit, më 5 mars 1946, Kryeministri britanik Churchill me një fjalim vizionar që mbajti në shtetin e Misurit në SHBA, përcaktoi qartë ndarjen e dy botëve, vijën e kuqe midis Perëndimit dhe Lindjes.
Ai do të deklaronte: “Ne duhet të shohim të vërtetën në sy. Nga Shcetin, në detin e Lindjes, deri në Trieste në detin Adriatik, kontinentin tonë po e përshkon një perde e hekurt. Pas kësaj linje shtrihen kryeqytetet shekullore dhe historike të Evropës Qendrore dhe Lindore: Varshava, Berlini, Praga, Budapesti, Beogradi, Bukureshti dhe Sofja. Popujt që jetojnë në këto vende detyrohem t’i quaj se jetojnë nën influencën sovjetike. Në një formë apo në një tjetër, ato nuk janë thjesht nën influencën sovjetike, por në një masë shumë të madhe, nën kontrollin e Moskës”. Duke u kthyer te mbledhja në Potsdam, do të shohim se tema kryesore e diskutimeve ishte Gjermania, por pa lënë aspak mënjanë edhe aspektet e qarta të një ndarjeje të madhe në muajt dhe vitet në vazhdim, që linte të nënkuptonte në tavolinë udhëheqësi sovjetik, Stalin.
Sigurisht, për Gjermaninë e mundur, flitej jo thjesht për penalitetet ndaj saj, si humbëse e luftës dhe shkaktare e gjakut të derdhur nga mbi 30 milionë njerëz e të shkatërrimeve të jashtëzakonshme, por në një koncept më të gjerë të ndarjes, administrimit, të drejtave, obligimeve, kufizimeve të sovranitetit, të raporteve me aleatët, të përfaqësimit në OKB, në strukturat e ardhshme evropiane dhe euroatlantike, etj. Në mjaft prej pikave që u diskutuan, qëndrimi i Stalinit kishte ndryshuar edhe në krahasim me ato gjëra që ishin shtruar e rënë dakord në Teheran e Jaltë. Ndërsa më 9 maj, në ditën e fitores mbi fashizmin, në Sheshin e Kuq, deklaronte se “Bashkimi Sovjetik nuk ka aspak për qëllim të shkatërrojë ose copëtojë Gjermaninë”, tani deklaronte se 50 apo 100 mijë individët, robër të luftës, midis të cilëve intelektualë e teknikë të zotë, si forcë e popullit gjerman, do të vareshin pa gjykime”.
Në tavolinë për ndarjen e Gjermanisë u hodhën disa variante dhe janë zhvilluar diskutime të shumta. Qëndrimet e Stalinit, ishin të përshkruara jo vetëm nga një megalomani e pashoqe, si një arbitër që vetëm ai kishte të drejtë të vendoste, por edhe me një cinizëm të madh ndaj popullit gjerman, për të ardhmen e tij, që gjithashtu duhej të vendosej nga presioni i Moskës mbi 2 aleatët perëndimor fitues, SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Sovjetikët donin të bënin të tyren edhe krahinën e Ruhrit, si zonë të Bashkimit Sovjetik, ndonëse ishte rreth 600 km nga Berlini e përgjithësisht Lindja Gjermane, që kishin shënuar si zonë të tyre.
Për këtë variant sovjetikët kishin ardhur të përgatitur. Madje ambasadori sovjetik Maisky ishte ngarkuar të drejtonte një komision teknik për këtë çështje. Dhe ndonëse konferenca vazhdonte në Potsdam, vetëm në ditët e fundit të saj Stalini e ndryshon këtë variant dhe në mbledhje do të pyeste: A jeni ju dakord që krahina e Ruhrit t’i mbetet Gjermanisë? Unë mendoj se po. Dukej se Stalini e kuptoi se nuk do të ishte aspak e lehtë që krahina e Ruhrit, si një ishull i rrethuar nga perëndimorët, të administrohej nga sovjetikët. Por, nuk ishte vetëm kjo.
Nëse do të shohim zhvillimet në raportet me aleatët dhe zonat, vetëm dy-tre vjet më vonë, do të vëmë re se, që në Potsdam, Stalini mendonte që në një të ardhme aspak të largët, të kishte gjithë Gjermaninë nën influencën e Moskës. Ndaj edhe kufizimet, sidomos në aspektin e ushtrimit të sovranitetit, ishin llogaritur me këtë synim… Stalini besonte se SHBA-ja do të largohej nga Evropa pas dy vjetësh, pa asnjë arsye për të qëndruar më aty. Ai ishte i bindur se në rast urgjence, nevoje, Gjermania e mundur dhe e shkatërruar, do të mund të bëhej lehtësisht pjesë e bolshevizmit. Mbeti në fund ajo ndarje që gjithsesi sovjetikët e kishin të skicuar. Vetëm zona franceze u ripërcaktua në Potsdam dhe ajo do të përbëhej nga dy territore të ndara, Pfalz dhe jugu i Rheinland, dhe pjesa tjetër Badens dhe Ëûrtemmberg.
Stalini u qëndroi fort në Konferencë planeve dhe skicimeve të tij dhe nuk pranoi asnjë kompromis me amerikanët dhe britanikët, madje duke ua përmendur herë drejtpërdrejt e herë me nënkuptim, se ishte ai fitimtari i vetëm i luftës dhe se atij i lindte dhe e drejta për të vendosur. Nga dokumentet që kam parë për mbledhjen e Potsdamit e që sigurisht nuk janë objekt i trajtimit të hollësishëm në këto shënime, shihet qartë se jo në pak raste u kalua edhe në presione apo kërcënime ndaj amerikanëve dhe britanikëve. Edhe për ndarjen e Berlinit në 4 sektorë, Stalini nuk pranoi asnjë sugjerim apo propozim të amerikanëve apo britanikëve. I vetmi kompromis ishte që të krijohej një komandaturë e përbashkët e aleatëve që do të merrte përsipër administrimin e Berlinit të ndarë në 4 sektorë, duke i kufizuar kësaj komandature kompetencat e saj në zonën sovjetike. Konferenca e Potsdamit u mbyll në natën e 1 dhe 2 gushtit.
U bë ndarja e Gjermanisë, ndarja e madhe që do të vazhdonte për 45 vjet, mes raportesh të tensionuara, dhimbjesh, tragjedive të pafund, mes uljeve dhe ngritjeve politike e diplomatike, bisedimeve të pafundme, përplasjeve e mirëkuptimeve, vrasjeve në kufi e Ostpolitikës së famshme… për plot 45 vjet, deri në rrëzimin e Murit të madh. Megjithatë, në Konferencë pjesa më e madhe e çështjeve nuk u sqarua: çështja e reparacioneve të Gjermanisë, kushtet e pushtimit të Iranit nga sovjetikët, kërkesat sovjetike për ngushticat detare, statusi i Danubit, etj. As fati i kolonive italiane nuk u rregullua. Por nuk pati edhe një përcaktim të plotë të rregullave në zonat e pushtuara të Berlinit. Në kuadër të synimeve të tij të mëvonshme, Stalini jo pa qëllim iu shmang këtyre çështjeve. Këto e të tjera u lanë për tu diskutuar në kuadrin e Traktatit të Paqes.
Kryeministri britanik Churchill nuk qëndroi deri në fund të Konferencës. Ai u largua disa ditë më parë për fushatën zgjedhore në Britani. Dhe duke u ndarë me presidentin amerikan Truman, ai i thotë: “Zgjedhjet mund të jenë me të papritura të çuditshme… Sidoqoftë në rast të humbjes së partisë time, unë do të jap dorëheqjen… Por, meqë Parlamenti nuk do të mblidhet deri në 8 gusht, do të kemi kohë të mbarojmë punët që kemi këtu”. Dhe politikani ndër më të famshmit në botë, kishte parashikuar drejtë: në këtë gjendje, krejt papritur, menjëherë pas një kontributi të jashtëzakonshëm në fitoren e luftës kundër nazi-fashizmit, populli në shumicë nuk rivoton kryeministrin e tij, por laburistët në opozitë.
Ata fitojnë 412 vende në parlament, kundrejt vetëm 214 vendeve të konservatorëve të Churchill. Ndonëse karriera e tij e spikatur politike dhe qeverisëse do të vazhdonte në vitet e mëvonshme. Është interesant të theksohet se pas publikimit të Marrëveshjes së Potsdamit, në Gjermani u përhap si një epidemi e madhe vetëvrasja. Në Berlin u vetëvranë 1200 vetë, në Lajpcig 600, në Hamburg 400, në Koln 300 e kështu me radhë në qytetet të tjera.
Të ndërgjegjshëm për ndëshkimin e merituar ndaj regjimit hitlerian, gjermanët nuk e kishin aspak të lehtë të besonin se atdheu i shkatërruar tmerrësisht do të ndahej e do të mbetej nën kontrollin e administrimin e fuqive aleate. Gjermania ishte në një kaos të plotë. Në librat e shumtë që kam lexuar për këtë periudhë dhe nga historianët por edhe nga politikanët e pasluftës, kam vënë re se të gjithë mendonin se vendi nuk do të rimëkëmbej as për një shekull dhe se nuk do të mund të ishte pjesë e bashkësisë së popujve, po për një shekull./panorama