Plani i Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë (dhe pse Putini nuk e ka problem)
Plani i Donald Trump për të sjellë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës nuk është bërë ende zyrtarisht publik.
Por në ditët e fundit shtypi anglo-sakson ka parashikuar disa pika që duken shumë të besueshme. Prestigjiozja britanike “Financial Times” dhe amerikania “Wall Street Journal” në veçanti kanë dhënë detaje për këtë temë.
Tani për tani, dihet se Moska ka dhënë disponibilitetin për një zgjidhje sipas kushteve të saj, por në Kiev janë shumë skeptikë.
Përveç pretendimeve për aftësinë e tij për të “imponuar paqen në 24 orë”, Trump u tregua shumë i kursyer me detaje mbi këtë çështje. Tani, megjithatë, tema është në rendin e ditës.
Në samitin e Budapestit, të premten, Zelenski u tregua shumë skeptik, veçanërisht kundër idesë për të arritur paqen shumë shpejt, nëse jo në dëm të interesave të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Putini duket i hapur për dialog drejtpërdrejt me Trump: një lëvizje që do të anulonte në mënyrë efektive urdhër-arrestin e lëshuar kundër presidentit rus nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë dhe do ta kthente atë në qendër të lojërave të mëdha ndërkombëtare pas pothuajse tre vjet embargo nga Fronti Perëndimor i lidhur me Kievin.
Përmbledhja e pikave kryesore të planit Trump
1) Pezullimi luftës. Rusia do të mbajë tokat e pushtuara si në 2014-15 ashtu edhe në 2022.
Po flasim për rreth 20 për qind të territorit ukrainas dhe përfshin gadishullin e Krimesë, Donbasin me Mariupolin, të gjithë brezin e territorit përgjatë Detit Azov deri në Kherson dhe një pjesë të madhe të rajonit të Zaporizhia.
Në këtë kontekst, ukrainasit mund të dorëzojnë atë që ata ende kontrollojnë që nga 6 gushti, rajonin rus Kursk (rreth 500 kilometra katrorë) në këmbim të zonave të tjera të pushtuara nga Rusia.
2) Krijimi i një zone të çmilitarizuar prej afërsisht 1000 kilometrash, e cila ende nuk është përcaktuar. Kjo zonë mund të patrullohet nga trupat evropiane, Trump nuk dëshiron të dërgojë ushtarë amerikanë ose të bëjë shpenzime me fondet e SHBA-ve. Shpenzimet për këtë projekt mbi të gjitha duhet të jenë evropiane.
3) Fronti aleat i premton Moskës se të paktën për 20 vitet e ardhshme Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë garancie ushtarake duhet të marrë Ukraina.
Në disa versione të planit të Trump, shpjegohet se mbrojtja ushtarake e Ukrainës së re të “tkurrur”, duhet t’u besohet vetëm evropianëve.
Të tjerë ngrenë mundësinë që amerikanët mund të dërgojnë armë dhe pajisje për të ndihmuar në ndërtimin dhe ruajtjen e mbrojtjes solide në kufijve të rinj.