Planifikimi i ekzekutimit të Dick Martyt nga Serbia, Musliu kritikon ashpër Osmanin dhe Kurtin
Kryetarja e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tyre pas raportimeve të fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe në kohën kur liderët e UÇK-së janë arrestuar nga Gjykata Speciale.
Musliu, e cila për këtë çështje kishte ftuar të mërkurën drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti të raportonte në komisioni është shprehur e revoltuar me mungesën e deputetëve të Vetëvendosje.
Sipas saj sjellja e shtetit të Kosovës është joserioze për të zbardhur të vërtetën mbi luftën e drejt të UÇK-së.
“Pas raportimeve të fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe si kryetare e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, në bazë të kompetencave që më lejon rregullorja e Kuvendit kam thirrur në takim urgjent drejtorin e AKI-së për të na njoftuar rreth njohurive që mund të këtë ky institucion në lidhje me rastin. Për çka e falënderoj z. Ajeti për prezencën e tij. Edhe pse ishin të njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit parlamentar, kjo mbledhje u bojkotua nga Vetëvendosja. Heshtja e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe bojkoti nga deputetët e LV-së për t’ia pamundësuar raportimin në komision drejtorit të AKI-së, lenë me dyshuar që kjo qasje është e sinkronizuar”.
“Kjo sjellje lenë shije të keqe dhe tregon joseriozitetin e institucioneve shtetërore për të zbardhur të vërtetën mbi luftën e drejt të UÇK-së. Sot kur në tërë botën po raportohet lidhur me kërcënimet e shërbimeve serbe ndaj Martyt dhe janë krijuar rrethana të reja për të dëshmuar që Gjykata Speciale është bërë mbi bazën e fakteve të mbledhura nga shërbimet serbe e ruse, në vend që të aktivizohet i tërë shteti e të kryejë punën e vet, shteti ynë ka zgjedhur të heshtë”, ka shkruar Musliu në llogarinë e vet në “Facebook”.