Planifikohet regjistrimi i popullsisë për vitin 2021
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), me mbështetjen e UNOPS-it, ka organizuar të martën një konferencë me donatorë për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë 2021.
Zëvendëskryeminitri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalën e tij, ka thënë se Qeveria e Kosovës e konsideron sistemin statistikor të Kosovës si një nga sistemet më të rëndësishme të vendit. “Në kuadër të këtij sistemi, zhvillimi dhe fuqizimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës përbën një nga prioritetet e larta në kuadër të avancimeve dhe reformave institucionale”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj vlerësoi mbështetjen e donatorëve ndaj ASK-së, që në vazhdimësi e kanë ndihmuar në rritjen e kapaciteteve, prodhimit të statistikave zyrtare dhe në rritjen e cilësisë së prodhimeve statistikore.
Ai premtoi Qeveria e Kosovës do ta mbështesë ASK-në, në rritjen e prodhimit statistikor dhe të kapaciteteve njerëzore e infrastrukturore, ashtu siç ka qenë mbështetëse në aspektin e zhvillimit të projekteve të mëdha për vendin. “Projekti e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës edhe në aspektin financiar” tha ai dhe ftoi donatorët e kësaj Konference që ta mbështesin Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave më 2021”, është shprehur Hoxhaj.
Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, dha sqarime të hollësishme për përgatitjet e Regjistrimit të popullsisë 2021 në Kosovë, si dhe rëndësinë dhe shfrytëzimin e këtyre të dhënave, si në aspektin e krahasueshmërisë statistikore, saktësisë, relevancës dhe prodhimit në kohë, që i ofrojnë Qeverisë së Kosovës, nga njëra anë, dhe BE-së, FMN-së, Bankës Botërore etj., nga ana tjetër. “Regjistrimi i popullsisë 2021” do të jetë në harmoni të plotë me rekomandimet ndërkombëtare dhe në përputhje me Acquis Communautaire (kapitulli 18), që përfshin metodologjinë, klasifikimet dhe procedurat për grumbullimin e të dhënave në fusha të ndryshme, ndër të tjera statistikat demografike dhe sociale”, ka deklaruar ai.
Ai potencoi rëndësinë e të dhënave të Regjistrimit të popullsisë për MICS-in, dividendën demografike, projeksionet e popullsisë, planifikimet demografike dhe në fushën e arsimit; shfrytëzimin e këtyre të dhënave për treguesit makroekonomikë (GDP/BPV, tregun e punës dhe shëndetësinë; të dhënat e regjistrimit në aspektin e sigurisë, territorit, ambientit dhe migracionit, etj.; të dhënat e regjistrimit dhe treguesit e SDG-së 2030; të dhënat dhe zhvillimi ekonomik, sidomos ai i investimeve të huaja.
Ndërkaq, një prezantim të detajuar mbi planifikimet e aktiviteteve për realizimin e Regjistrimit të popullsisë 2021 dhe planin buxhetor të shpërndarë në pesë vitet e ardhshme, e prezantoi drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, Avni Kastrati.
Më pas në Konferencë u zhvilluan diskutime nga donatorët. Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samir Selimi dha mbështetjen për këtë regjistrim për 1.2 milion euro, kryesisht në monitorimin e realizimit të projekti dhe në cilësinë e grumbullimit të të dhënave. Diskutuan edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Suedisë, UNFPA-së, UNICEF-it etj.
Në këtë Konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve vendore dhe të ambasadave e organizatave ndërkombëtare.