PLASIMI I DËSHTIMEVE SI SUKSES

02 tetor 2021 | 13:00

Shkruan: Hajdin Abazi

Dr. Arben Vitia ministër i shëndetësisë dha dorëheqja nga ky post.

Sigurisht, jo si reflektim për gabimet e rënda në politikën menaxheriale të pandemisë.

Gjithsesi as për ta konfirmuar tezën e Albin Kurtit se është degradim për një parti politike kur një deputet a ministër i saj jep dorëheqje për t’u kandiduar për kryetar komune!

Ai renditi ku janë e ku nuk janë sukseset, madje duke u përpjekur për t’i përvetësuar edhe disa punë të ministrave pararendës (fakt të cilin një gazetare ia tha para kamerave, por nuk arriti ta skuqë aspak ministrin)!

Nuk do mend, pandemia po e sfidon tërë botën. Por në praktikat demokratike, ministrat e shëndetësisë dilnin dhe vazhdojnë të dalin çdo ditë në konferenca për media, duke shpjeguar situatat, masat dhe veprimet që duhet bërë, si një lloj llogaridhënie, informim dhe apel ndaj qytetarëve. Kurse ministri A. Vitia mezi ka mbajtur disa konferenca krejt të zbehta për media – kaq ishte përkushtimi i tij për të komunikuar me qytetarët në ditët më të vështira!

Djallëzisht ua hodhi fajin ekspertëve për gjoja vlerësimin e gabuar mbi pandemimë në prag të verës kur dihej se do të vinte në atdhe diaspora, vlerësime që e “bënë” të merrte vendime politike me pasoja katastrofale për mosmenaxhim të pandemisë gjatë pushimit veror! Me kaq, ai “i lau duart” nga mëkati, pasi që qe yshtur nga “djajtë” eksperta!

Nuk besoj ta ketë harruar kush ministrin Vitia në kohën kur bota gjithandej po organizohej e po kërkonte mënyra më të mira luftimi, ai jo vetëm “e lëshoi në ler” duke manifestuar pakujdesinë më joinstitucionaliste, por edhe dalldisej në vallëzim në kulm ekstaze – thua se u çliruam nga pandemia ndërkohë që ajo po mbillte farën e vdekjes pa asnjë masë ndaluese!

Dhe asnjë kërkim falje nga ministri Vitia. Logjika e mospranimit të gabimit dhe e moskërkimfaljes është stil i pushtetarëve autokrat.

Se demagogjia është qasje e ministrit Vitia u kuptua kur ai u kërkoi të njëjtëve eksperta të cilët e kishin yshtur të gabonte ndaj pandemisë, pra po ata të vlerësonin situatën pandemike se a mund të mbahen zgjedhjet komunale, dhe ata vlerësuan (mbase për t’ia bërë qejfin shefit të tyre) se situata ishte në përkeqësim dhe u rekomandua shtyrja. E pra, nuk ju doli falli. Pandemia në Kosovë nuk po shkon duke u bërë më keq.

Në të vërtetë, në të dyja rastet u dëshmua se kur politika i dikton shkencës (mjekësisë) vlerësime, zakonisht parashikimet shndërrohen ne manipulime dhe shpejt u del boja.

Megjithatë, ministri Vitia nuk pa asnjë të metë, mangësi apo gabim në politikat e tij menaxheriale të pandemisë, pa folë për nepotizmin dhe qasjen partiake në objektivat publike – këto që janë manifestuar publikisht.

Ministri Vitia tregoi se nuk ka asnjë konsideratë për sferën publike, sepse të gjitha dështimet paturpësisht i konvertoi si me magji në sukses.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Protestuesit serbë kanë liruar urën mbi Liqenin e Ujmanit, ndërsa…