Platforma politike e Engjëll Koliqit, 103-shit të AAK-së: “Kosova dje, Kosova sot, Kosova nesër”
Engjëll Koliqi, kandidat i AAK-së për deputet në Parlamentin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare, është një nga intelektualët më të rëndësishëm që kanë origjinën nga Stublla e Vitisë. Punëtori i palodhshëm i kauzës sonë kombëtare, duke bërë shtëpinë e tij në Lecco të Italisë, të jetë ambasadë shpirtërore, ish-gazetari, poeti dhe shkrimtari i devotshëm i pakompromis i çështjes shqiptare, ka vendosur të konkurrojë për deputet në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në numrin simbolik 103!
“E djathta shqiptare në Kosovë, sikur askund tjetër, shtratin e ka në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Lideri i saj, Ramush Haradinaj, është luani i atdhedashurisë dhe i palëkundur për një Kosovë perëndimore,” i tha xlpress-it Koliqi.
Koliqi ka bërë të ditur se zhvillimet në botë janë shenjë dhe alarm për patriotët shqiptarë të kthejnë besimin kah e djathta perëndimore dhe se postulati i integrimeve të Kosovës është qenësia biologjike e ekzistimit të saj, si njëri nga projektet më të mëdha perëndimore të realizuar në vitin 1999 me intervenimin, çlirimin e Kosovës dhe njohjen e Pavarësisë më 2008.
“Jemi në udhëkryq të madh historik, andaj unë besoj se Haradinaj dhe patriotët e djathtë shqiptarë do të dinë për të drejtuar velat e çështjes kombëtare,” ka thënë Koliqi.
Ai ka bërë të ditur se në kuadër të angazhimit të tij në AAK si deputet, së bashku me njerëzit dhe përkrahësit e idealeve, ka bërë platformë politike-programore që ka marrë dhe mbështetjen e Kryetarit Haradinaj për të hapur portat e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
“Kosova dje, Kosova sot, Kosova nesër” është një koncept politik që ndërton një narrativë historike dhe vizionare për të frymëzuar votuesit dhe për të paraqitur një udhërrëfyes të qartë për të ardhmen. Ky koncept mund të përdoret për të strukturuar një platformë politike dhe për të krijuar një mesazh të fuqishëm që përmbledh aspiratat kombëtare. Ne po gjejmë mbështetje për këtë platformë në qendra të vendosura në botë dhe shumë shpejt këtë platformë do të kërkojmë mbështetjen edhe të Shtetit të Vatikanit,” ka thënë Koliqi.
“Kosova jonë ka kaluar nëpër sfida të mëdha, por kemi qëndruar të bashkuar dhe kemi ndërtuar themelet e shtetit tonë,” ka thënë Koliqi, i bindur se projektet e mëdha
kombëtare nuk do të sfidohen nga askush dhe në asnjë kohë. “Kosova sot është një vend në ndërtim e sipër, plot sfida dhe potencial për të ecur përpara me hapa të sigurt,” ka thënë Koliqi. /Xlpress.tv/ Lecco Itali/