PLATFORMË POLITIKE NË MBROJTJE TË LEGJITIMITETIT TË MARRËVESHJES SË OHRIT

16 gusht 2024 | 08:16

Në këtë rast solemn, ndërsa shënojmë përvjetorin e 23-të të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, ne, përfaqësuesit e Frontit Evropian, riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj parimeve të përfshira në këtë marrëveshje historike.
Marrëveshja e Ohrit qëndron si një gurthemel i paqes, stabilitetit dhe demokracisë në Maqedoninë e Veriut, duke mishëruar aspiratat e të gjithë qytetarëve të saj për një shtet dhe shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Njëzet e tre vjet më parë, më 13 gusht 2001, u nënshkrua Marrëveshja Paqësore e Ohrit, duke i dhënë fund një periudhe lufte dhe duke vendosur Maqedoninë e Veriut në një rrugë drejt pajtimit, barazisë, drejtësisë, qeverisjes konsensuale dhe integrimit euro-atlantik.
Kjo Marrëveshje, e ndërmjetësuar dhe e arritur me mbështetjen dhe me garanci të komunitetit ndërkombëtar, vendosi themelet për një bashkëjetesë paqësore të komuniteteve të ndryshme etnike brenda shtetit tonë, me fokus të veçantë në përfshirjen dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar, si dhe të komuniteteve joshumicë.
Marrëveshja e Ohrit ka një rëndësi të madhe ndërkombëtare, e konfirmuar edhe nga përfshirja e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët e nënshkruan Marrëveshjen si garantues ndërkombëtarë.
Duke marrë parasysh se, Maqedonia e Veriut ka detyrime kontraktuale ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e bën kjo Marrëveshjen e Ohrit një traktat ndërkombëtar.
Marrëveshja imponoi ndryshime kushtetuese, reforma legjislative dhe ndryshime institucionale të hartuara për të parandaluar margjinalizimin e komuniteteve joshumicë dhe për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe të barabartë në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, si dhe njëkohësisht i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbikëqyrë zbatimin e saj dhe të ndihmojë aty ku është e nevojshme.
SYNIMI DHE QËLLIMI i Marrëveshjes së Ohrit, parë në kontekstin e nënshkrimit të saj, janë thelbësore për të kuptuar parimet e saj themelore dhe mënyrën se si palët nënshkruese synuan ta zbatojnë atë.
Qeveria e atëhershme e Republikës së Maqedonisë dhe komuniteti shqiptar hynë në Marrëveshje me mirëbesim, me një angazhim të sinqertë për të ndërtuar një shtet dhe një shoqëri demokratike dhe paqësore të udhëhequr nga parimet kryesore të Marrëveshjes .
Marrëveshja Paqësore e Ohrit u hartua për të zgjidhur tensionet etnike dhe luftën e armatosur përmes një balancimi të kujdesshëm ndërmjet dy parimeve themelore hyrëse:
Ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe të karakterit unitar të shtetit;
Ruajtjen dhe reflektimin e karakterit dhe përbërjes multietnike të shtetit.
Që nga viti 2001, zbatimi i parimeve të Marrëveshjes së Ohrit ka garantuar përgjithësisht bashkëjetesën paqësore midis grupeve të ndryshme etnike në Maqedoninë e Veriut dhe ka promovuar përfshirjen e drejtë dhe të barabartë të komunitetit shqiptar dhe komuniteteve joshumicë në jetën sociale, politike dhe ekonomike të shtetit.
Mirëpo, zhvillimet e fundit politike me qeverinë e re të koalicionit, të formuar si rezultat i zgjedhjeve të mbajtura në maj 2024, kanë cënuar rëndë themelet e SYNIMIT DHE QELLIMIT si dhe parimet themelore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Veprimet iracionale në rrafshin e kufizimit të standardeve të pjesëmarrjes politike, të arritura gjatë përpjekjeve prej dekadash për të garantuar standarde të gjithëpërfshirjes, janë në kundërshtim me SYNIMIN DHE QELLIMIN e Marrëveshjes së Ohrit dhe me qëllimin e palëve nënshkruese.
Si të tilla ato e privojnë komunitetin shqiptar dhe komunitetet tjera nga standardet e pjesëmarrjes politike që shteti ka arritur deri tani, duke minuar parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe me këtë edhe rendin demokratik të Maqedonisë së Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut, partitë politike janë të organizuara mbi baza etnike dhe votuesit tradicionalisht dhe kryesisht votojnë për partitë politike të përkatësisë së tyre etnike.
Për të ruajtur dhe reflektuar karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut në jetën publike (një nga qëllimet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit), dhe për të ruajtur stabilitetin, qeveritë në përgjithësi kanë reflektuar vullnetin elektoral të komuniteteve.
Që atëherë, parimi i “legjitimitetit etnik” është respektuar në përgjithësi nga të gjitha qeveritë. Në mungesë të këtij parimi, maqedonasit etnikë mund të vendosin arbitrarisht dhe preferencialisht se cila parti shqiptare etnike duhet të përfaqësojë komunitetin shqiptar.
Kjo situatë është problematike: Cili është qëllimi i ekzistimit të partive politike etnike dhe cila do të ishte arsyeja që një komunitet etnik të dale e të votojë në zgjedhje, nëse përfaqësuesit e tyre në fund zgjidhen në mënyrë preferenciale nga partia fituese etnike maqedonase?
Shkelja dhe injorimi flagrant i vullnetit politik dhe elektoral të komunitetit të dytë më të madh në vend, komunitetit shqiptar, si dhe komuniteteve joshumicë, është në kundërshtim me Amendamentin VI të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe me parimin e përfaqësimit të drejtë.
Duke marrë parasysh qëllimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën për të siguruar standarde të drejta për përfaqësimin etnik, është e nevojshme të zbatohen masa që ruajnë dhe reflektojnë karakterin multietnik të shtetit për të siguruar zbatimin e duhur të Marrëveshjes.
Masa të tilla si “Qeveria me legjitimitet etnik” forcojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe rendin kushtetues të shtetit, dhe duhet të pëforcohen me nisma të mëtejshme për të garantuar zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Ohrit.
BAZA LIGJORE
Në parim, baza ligjore për prezantimin e masave të tilla gjenden në ligjet eksizstuese vendore, në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe në normat e zbatueshme ndërkombëtare.
Legjislacioni vendor: Amendamenti VI (1) i Kushtetutës, parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë justifikon ruajtjen e kësaj praktike, e cila forcohet më tej nga interpretimi i parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit: SYNIMI DHE QËLLIMI i Marrëveshjes;
E drejta ndërkombëtare: Konventa e Vjenës për interpretimin e traktateve;
E drejta ndërkombëtare humanitare: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe traktate të tjera për të drejtat e njeriut, siç është Neni 25 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (“ICCPR”), për të cilin Maqedonia e Veriut është Shtet-Palë. “Përfaqësimi gjithashtu duhet të jetë legjitim”.
Një shtet që nuk garanton përfaqësim të drejtë dhe legjitim minon të drejtën njerëzore të pjesëmarrjes politike dhe parimin e përfaqësimit të drejtë të përfshirë në Kushtetutë (Amendamenti VI) dhe të shprehur në Nenin 4.1 të Marrëveshjes së Ohrit, sepse në praktikë ai bën të mundur që përfaqësuesit e shumicës të zgjedhin preferencialisht përfaqësuesit e komuniteteve ose mos të zgjedhin fare.

Konsideratat Politike
Bazat ligjore duhet të balancohen dhe të marrin në konsideratë synimet e politikës dhe ato të partive politike në vendimet e tyre, veçanërisht në fazën e formimit të qeverisë, që paraqet një proces politik.

Kredibiliteti dhe Llogaridhënia
Në përgjithësi, shkalla e besueshmërisë dhe llogaridhënies së qeverisë matet nga përgjegjësia që ajo e ka për të përfaqësuar vullnetin politik të të gjithë votuesve, që është njëkohësisht parimi themelor i përfaqësimit proporcional.
Një sistem politik efektiv është ai në të cilin pushteti është përgjegjës ndaj votuesve në shkallën më të lartë të mundshme.
Duke shprehur preferencën e tyre për një parti politike specifike, votuesit duhet të kenë mundësinë që të ndikojnë në formimin e qeverisë dhe të marrin pjesë në procesin e formimit të koalicionit të partive negociuese.
Përjashtimi i partisë politike ose koalicionit që në zgjedhjet e fundit fitoi shumicën e votave në bllokun shqiptar nga koalicioni nuk e përmbush këtë pritshmëri.
Ndërsa llogaridhënia e qeverisë është një nga gurthemelet në shoqëritë që përballen me ndarje, veprimet që e kërcënojnë atë ka të ngjarë të çojnë në paqëndrueshmëri afatgjatë. Sidomos kur rreziku i cënimit të marrëdhënieve ndëretnike është prezent, pakënaqësia në mesin e komuniteteve joshumicë mund të minojë funksionimin e qëndrueshëm dhe efikas të qeverive, ndonjëherë duke çuar në pasoja të padëshirueshme.
Demokracia Konsociative
Katër masa konsiderohen se garantojnë konsociacionalizmin:
Ndarja e pushtetit ekzekutiv;
Autonomia e grupeve;
Proporcionaliteti dhe
Vetoja reciproke.
Ndarja e pushtetit ekzekutiv i referohet formimit të një qeverie të madhe koalicioni, ku të gjithë përfaqësuesit legjitim politik e kanë të siguruar përfaqësimin.
Autonomia e grupit transferon autoritetin vendimmarrës mbi çështje të caktuara tek grupet përkatëse.
Proporcionaliteti avokon shpërndarjen e burimeve publike në mënyrë të drejtë dhe të barabartë si për shembull postet qeverisëse, mandatet në parlament, pozicionet në administratë dhe buxhetin.
Vetoja reciproke i lejon një komuniteti të mbrojë interesat e veta jetike dhe siguron që askush tjetër të mos vendosë për çështje të rëndësishme për komunitetin.
Fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut përqafojnë parimin e konsociacionalizmit. Në përgjithësi, në Maqedoninë e Veriut, parimi i konsociacionalizmit zbatohet përmes normave dhe praktikave me synimin për të ruajtur një balancë ndërmjet interesave dhe nevojave të të dy grupeve, maqedonasve etnikë dhe komunitetit shqiptar, si dhe komuniteteve tjera.
Masat e reja duhet të respektojnë këtë parim për të shmangur paqëndrueshmërinë afatgjate dhe përsëritjen e mosrespektimit të legjitimitetit etnik, në të dyja nivelet, qëndror dhe lokal.
Barazia dhe Drejtësia (Equity)
Barazia dhe Drejtësia nuk mund të arrihen nëse grupi që duhet të përfaqësohet sipas parimit të proporcionalitetit, në fakt është i privuar nga përfaqësimi, sepse përfaqësuesit që janë zgjedhur për t’i mbrojtur dhe përfaqësuar më mirë interesat e tyre janë përjashtuar nga vendimmarrja ekzekutive në formë arbitrare dhe preferenca nga shumica si dhe duke suspenduar legjitimitetin zgjedhor.
Duke e aplikuar këtë bazë politike në çështjen e formimit të qeverisë, barazia mund të arrihet nëse çdo grup merr vende në qeveri proporcionalisht me numrin e njerëzve që i përkasin komunitetit.
Një formulë e tillë synon të shpërndajë pushtetin politik në mënyrë të drejtë dhe të reflektojë përbërjen shoqërore të një shteti.
Në këtë kuptim, teoria e drejtësisë është e lidhur ngushtë me demokracinë konsociative, më së shumti me proporcionalitetin.
Në të njëjtën kohë, drejtësia nënkupton përfaqësimin e çdo grupi në vendimmarrje, gjë që, nga sa u tha më sipër, lidhet me cilësinë e përfaqësimit.
Për këtë qëllim, përfaqësuesit e komuniteteve mund të ndërmarrin:
(1) veprime politike dhe
(2) masa specifike.
Ndërsa veprimet politike kanë të bëjnë me strategjitë politike që do të adoptohen për të promovuar narrativa gjithëpërfshirëse masat specifike synojnë të arrijnë një rezultat konkret, siç është konsolidimi i një praktike ose i të drejteje zakonore, në ligj ose prezantimi i një mase të re ligjore,.
Në përgjithësi, veprimet politike dhe masat specifike do të merren në mënyrë kumulative ose alternative, në varësi të rrethanave, si dhe të kushteve përkatëse shoqërore, politike dhe ekonomike.
Në zbatimin e këtyre masave, ne do të përfshijmë me kujdes parimet dhe praktikat e suksesshme nga Irlanda e Veriut, Belgjika dhe Zvicra si dhe të vendeve tjera demokratike, duke u mbështetur gjithashtu në qasjet tona të vendosura, për të siguruar një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj kontekstit të krijuar nga veprimet e fundit iracionale, specifikave dhe rrethanave që ka shoqëria shumetnike, shumëkulturore e Maqedonisë së Veriut.

Bujar Osmani, ish – Minister i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut!
Shkup, 13 gusht 2024!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimit…