Platini: Gjithmonë isha kundër VAR-it
Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini është akoma kundër VAR-it, duke deklaruar se ai ishte kundër që nga dita e parë, pasi sipas tij futbolli nuk mund të gjykohet me video.
Platini ka dhënë një intervistë për “Il Corriere dello Sport” për një numër çështjesh dhe u pyet për mendimin e tij për VAR-in, i cili ka tërhequr kritikat në të gjithë Evropën. “Unë e thashë atë që nga dita e parë, nuk e mbaja me vete, unë deklarova kundërshtimin tim ndaj teknologjisë, veçanërisht nëse përdoret në këtë mënyrë”, ka thënë fillimisht Platini, duke shtuar: “Futbolli nuk mund të gjykohet me video. Televizioni shtrembëron tërë perceptimin e incidenteve individuale. Futbolli është një sport kontakti, ka ndërhyrje të rregullta, të cilat nëse kalohen përmes filtrit të TV-së dhe ngadalësohen, çojnë në interpretime të papranueshme. Një faull duhet të vlerësohet dhe gjykohet në kohë reale. VAR-i gjithashtu vret eksitimin e golit, ai e detyron lojtarin ta festojë atë pesë minuta më vonë, dhe ndonjëherë edhe dy herë”.
“Për një lojë më të barabartë, VAR-i nuk është i nevojshëm, por gjyqtarë më të mirë. Polemika e teknologjisë nuk kufizohet vetëm në Itali, por edhe në Angli, Spanjë dhe Gjermani”, ka deklaruar Platini.