PLAZHI I GOLEMIT – PLAZHI I BUKUR NË NJË KATRAHURË URBANISTIKE

31 gusht 2020 | 23:32

Shkruan: Berat Luzha

Golemi, me popullsi rreth 7000 banorë, është një fshat turistik i urbanizuar, që ndodhet në vijën bregdetare të Adriatikut, mes Durrësit e Kavajës, pjesë e Bashkisë së Kavajës dhe Qarkut të Tiranës.

Zona e Golemit është njëra nga destinimet kryesore për pushime, me plazhin e gjatë, ku janë ngritur shumë objekte turistike, hoteliere, shtëpi pushimi, “fshatra turistike” etj.

Ky fshat në 25 vitet e fundit ka përjetuar zhvillim shumë të shpejt urban, por gjithashtu i janë shtuar edhe problemet e tij. Është fshat dhe zonë turistike e mbipopulluar, veçanërisht gjatë sezonit turistik, por i vizitueshëm gjatë tërë vitit. Fshati i vjetër ndodhet mbi vijën hekurudhore dhe automobilistike, kurse fshati i ri është ngritur pas vitit 1992, kryesisht përgjatë dhe në masivin pyjor të pishave.

Në vitet e fundit në pyllin me pisha janë ndërtuar shumë kapacitete turistike e hoteliere. Pos me turizëm e hotelieri, popullsia e fshatit është marrë tradicionalisht edhe me bujqësi i peshkim.

Pamja e Plazhit të Golemit të duket si një zonë e banuar, si një fshat apo një qytet, por shumë pak i ngjanë një zone turistike, gjithnjë duke e humbur rëndësinë strategjike për zhvillimin e turizmit bregdetar. Këto plazhe tashmë janë kthyer në zona urbane banimi. Qe 25 vjet këtu jepen leje ndërtimi për objekte të larta, edhe mbi gjashtë e tetë kate, kur ligji nuk lejon objekte mbi trikatëshe. Kaosin urbanistik dhe ekologjik e shkaktuan njerëzit e pangopshëm e të pandërgjegjshëm, duke krijuar dëme të pallogaritshme në shumë aspekte.

Që nga viti 1992 këtu dhe në zonat tjera bregdetare të Shqipërisë u turrën “pronarë”, “padronë”, servilë, njerëz “të fortë” të politikës dhe të krimit, duke prerë pisha e duke ngulur në vend të tyre kioska, pijetore, qebaptore e lloj lloj ndërtimesh me leje e pa leje. Më së paku, nga kjo katrahurë, fituan vendësit, golemasit. Sepse, vendësit janë njerëz të urtë, mikpritës e bujarë. Bëhet pyetja: Kush e masakroi natyrën e bukur të Golemit dhe të shumë fshatrave bregdetare? Të kujt janë pallatet dhe vilat luksoze, hotelet e larta, restorantet moderne, “fshatrat turistike”?

Si rezultat i zhvillimit të shpejtë e të pakontrolluar të turizmit, fillimisht në plazhin e Golemit u zaptuan apo u dhanë troje pa planifikim urbanistik dhe u ngritën, si kërpudhat pas shiut, mijëra objekte pa leje të ndërtimit, të paligjshme, të paplanifikuara e të paregjistruara, duke mos i paguar shtetit as detyrimet financiare, taksat e tatimet. Ndërtimet e objekteve hoteliere e turistike janë bërë kryesisht në brezin pyjor, duke i prerë pishat e mbjella rreth 60 vjet më parë. Pushtuesit e tokave dhe ndërtuesit e objekteve i kanë prerë drunjtë për të ndërtuar hotele. Llogaritet se në zonën e Golemit dhe të Shkëmbit të Kavajës deri tash janë prerë rreth 12 mijë trupa pishash për t’ia lëshuar vendin ndërtimeve të reja.

Këto ndërtime shkel e shko, janë ballafaquar me probleme të infrastrukturës, me mungesë rrugësh, dritash, të ujit e të kanalizimit. Pallate të larta, hotele të shumta, restorante e lokale të ndryshme i kanë lëshuar ujërat e zeza në det, duke e rrezikuar shëndetin e pushuesve. Atyre ujërave u janë bashkuar edhe ujërat e zeza që rrjedhin nga fshatrat e mësipërm, të cilat edhe sot e kësaj dite depërtojnë përmes një përroni nëpër zonën me pisha dhe derdhen në det, duke lëshuar aromë kundërmuese.

Plazhi i Golemit është zgjatim i plazhit të Durrësit e të Malit të Robit, kurse e pason plazhi i Qerretit. Është nga plazhet më të mëdha në Shqipëri, krahas atij të Durrësit, në gjatësi rreth 5 km. Ky është nga plazhet më të vizitueshme, më të parapëlqyera, sidomos nga pushuesit që vijnë nga Kosova e Maqedonia. Shumë plazhe të Shqipërisë, sidomos vija e pashkëputur e plazheve që nga Durrësi deri në Qerret, në 30 vjetët e fundit fillluan ta zhvillojnë turizmin me pushues nga Kosova e Maqedonia, i quajtur edhe si turizëm patriotik, duke mos kërkuar kushte e standarde të mirëfillta gjatë qëndrimit e pushimit të tyre. Në pesë vitet e fundit gjendja sikur ka ndryshuar paksa; shqiptarët nga Kosova e Maqedonia gjithnjë e më shumë po orientohen nga plazhet e veriut, në Shëngjin e Velipojë, kurse në plazhet e Durrësit, Malit të Robit, Golemit e Qerretit po shtohen turistë të huaj, që vijnë nga shumë shtete të rajonit dhe Evropa.

Golemi është një fshat dhe një plazh i betonuar, me natyrë të masakruar. Shpeshherë bashkia ka zhvilluar aksione për shembjen e objekteve, lokaleve e restoranteve pa leje ndërtimi pranë bregut të detit, por pa sukses të duhur. Këto aksione kanë liruar dhjetra mijëra metra katrorë të plazheve publike, por zaptimet kanë vazhduar. Shpesh plazhet dhe hapësirat përreth janë të papastra, madje edhe me fajin e pushuesve. Një pjesë e madhe e pushuesve mbeturinat, që i krijojnë, i hedhin vend e pa vend, duke i lënë në plazh apo në afërsi të tij, duke i hedhur duqet e cigareve në rërë, në rrugë apo hapësira tjera. Mund të hasen grumbuj mbeturinash që ndodhen skajeve të rrugëve, duke qëndruar ashtu kohë të gjatë, pa i shqetësuar kush.

Hotelierët mundet dhe duhet të jenë më korrekt ndaj klientëve të tyre e shteti duhet t’i mbikëqyrë ata kur është në pyetje çmimi i vendosjes dhe i ushqimit. Pushuesit shpesh përballen, jo vetëm në Golem, me abuzime me faturat dhe me sjellje arrogante të padronëve dhe stafit të tyre. Fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave e tatimeve, abuzimi me çadrat dhe hapësirat e plazhit janë mjaft të shprehura këtu dhe gjetiu.   

Përveç detit dhe diellit plazhi ofron mundësi edhe për shëtitje përreth detit, për sporte ujore dhe argëtim. Të rinjtë dhe fëmijët gjejnë mënyra të ndryshme për t’u argëtuar, sidomos gjatë lundrimeve me barka e me motorë uji. Pishat e mbetura pranë plazhit, ajri i pastër, freskia e detit, qetësia dhe veçanërisht çmimet e arsyeshme kanë bërë që pushuesit ta parapëlqejnë këtë plazh, ku natyra ka krijuar mrekulli. Rëra e pastër, pylli i pishave dhe kaltërsia e detit kanë krijuar mrekulli, harmoni dhe vend tërheqës e shlodhës. Pylli i pishave prej mbi 200 hektarësh, është mbjellur para shumë dekadave dhe është planifikuar si zonë mbrojtëse nga erërat e detit.

Me gjithë problemet që e preokupojnë këtë fshat dhe plazhin e tij, nga viti në vit shënohet rritje e numrit të pushuesve vendës e të huaj. Edhe siguria, kushtet dhe cilësia e shërbimeve gjithnjë e më shumë po përmirësohen. Është zgjidhur problemi me dritat, është përmirësuar furnizimi me ujë, janë ndërtuar dushe e banjo publike, kolektorë të ujërave të zeza, biblioteka të vogla për pushuesit etj.

Golemi nuk është i vetmi me shumë mundësi zhvillimi e me probleme të mëdha urbanistike. Si Golemi janë shumë fshatra dhe shumë plazhe në Shqipërinë tonë, të cilën, sido që të jetë, e duam fort.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra objekte po ndërtohen në veri nga serbët, ndërkohë shqiptarët…