Pleurat Sejdiu rikthehet në politikë, garon për deputet, në listën e PDK-së mban numrin 53
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar listën e 110 kandidatëve për deputet në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Kjo listë, e cila nga PDK-ja është quajtur listë e ekipit fitues, përfshinë personalitete të rëndësishme që në kohë të ndryshme kanë dhënë kontribut për vendin.
Në mesin e këtyre personaliteteve është edhe Pleurat Sejdiu, një nga mjekët më të mirë në vend dhe veprimtar i dalluar.
Pas një pauze të gjatë nga jeta politike, ai në këto zgjedhje ka vendosur të jetë pjesë e garës për deputet dhe mban numrin 53 në listën e PDK-së, shkruan “Epoka e re”.
Pleurat Sejdiu nuk është emër i panjohur në vendin tonë.
Ai është njëri nga themeluesit e PDK-së, si dhe pos punës në profesionin e tij si mjek kirug – ortoped brenda dhe jashtë vendit, ka mbartur shumë funksione të rëndësishme në skenën publike si; Përfaqësues Diplomatik i UÇK-së – Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike / Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Qeveria e Përkohshme e Kosovës; Bashkëdrejtues i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Strukturat e Përbashkëta të Përkohshme Administrative (UNMIK); Sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë; Drejtor – Drejtoria për Trajnime, Komunikim dhe Informim, Zyra e Kryeministrit, Agjencia për Integrim Europian; Drejtor – Departamenti për Strategji dhe Koordinim, Ministria e Integrimit Evropian; Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.
Rikthimi i Pleurat Sejdiut pritet të sjellë një përvojë të re në skenën politike.