Plisi simbol i shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Prof. Haki Mulliq
Me rastin e shënimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Teatrin Shqiptar të Shkupit u shfaq koncerti i Ansamblit Kombëtar Shqiptar i R.M.V.
Koreografia, premierë absolute “Baresha” punuar mjeshtërisht nga koreografi Feim Leka arriti të sjellë një “bareshë” të brumosur me karakterin e fuqishëm individual dhe të korrespondonit me vetën e tij , me artistët dhe publikun duke dëshmuar forcën e imagjinatës së tij artistike dhe krijuese!
Të përjetosh, në kuptimin e strukturës me figura lëvizëse dhe reflekse, hije dhe muzikë është të mbërthesh në heshtje dhe harmoni rreth strumbullarit të idesë artistike dhe kreativitetit krijues. Në fakt “Baresha” ndodhë duke ofruar një komunikim mes artistit dhe shikuesit , muzikës e motivit dhe kërkimit të një identiteti artistik si dhe reflektim e formë!
Është “Baresha” e cila mundësoi përjetimin e korrespondimit rrëqethës, dhe këtu fle bukuria e “Bareshës” , tek shikuesi dhe artisti në skenë duke akumuluar një sërë motivesh kyçe të shprehura me shumë lëvizje dhe motive artistike brenda një universi, pra motivi i ëndrrës që intensifikohet në gjithë performansën e cila në çdo çast avancon dhe i ngjan një ëndrre në ëndërr!
Kompozitori Agron Syla, duke përdorur temën nga perla e muzikës shqiptare “Baresha” arriti të sjellë përjetimin dhe ndjesinë që korrespondon dhe rrëshqet në fushën e artit koreografik shqiptar. Realiteti artistik hedh magjinë e artistit të magjepsur nga vizioni i pafundësisë mes krijuesit dhe muzikës me origjinalitetin autonom muzikor, që komunikojnë me njëra-tjetrën në artin e kërcimit popullor shqiptar, kështu nga bagazhi i tij artistik -krijues forcon idenë e një imazhi të dallueshëm shqiptar. Kompozitori Agron Syla , në orkestracionin e tij të shkëlqyer solli një mendim të fuqishëm poetik dhe estetik i mishëruar me tone melankolike, i shtrirë fuqishëm në shtratin e artit koreografik shqiptar!
Xhubleta shqiptare, tani në UNESKO, veshur mbi trupin e kërcimtarëve vitale dhe grandioze të ansamblit solli një pjesë të trashëgimisë kulturore dhe historike shekullore të identitet dhe lashtësisë artistike kombëtar.
Solistët e mrekullueshëm të Ansamblit Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në R.M.V. Besarta Murtezani dhe Nexhat Suma, si dhe orkestra profesionale e ansamblit krijuan atmosferë të ngrohtë artistike me interpretimet dhe ekzekutimin e tyre të muzikës së pastër shqiptare!
Ansambli “Drenica” nga Skënderaj, me këngët e interpretuara në frymën e ditës së Pavarësisë së Kosovës ngjallen emocione të thella tek publiku në sallën e Teatrit Shqiptar të Shkupit!
Bardhësinë dhe shkëlqimin mitik tek të pranishmit në sallë e solli Plisi, simboli i lashtë pellazgo-ilir – shqiptar dominoi në sallë dhe në skenë! I gjithë teatri frymoçi shqip në 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe në Ditën e Plisit