Pllana e vlerëson maksimalisht ndeshjen me Trepçën ’89
FC Prishtina të mërkurën më 2 nëntor e zhvillon ndeshjen e radhës në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll me ç’rast do të përballet me skuadrën mitrovicase Trepça ’89.
Kjo është sfidë e mbetur e xhiros së nëntë dhe do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 18:00.
Prishtina në këtë ndeshje vjen pas tre fitoreve radhazi dhe atmosfera në kampin “bardhekaltër” është shumë pozitive.
Mbrojtësi Bujar Pllana ka folur para ndeshjes me “minatorët” për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas.
“Ndeshja ndaj Trepçës ’89 është shumë e rëndësishme sikurse të gjitha takimet e tjera në Superligë. Kundërshtarin e vlerësojmë maksimalisht pasi e ka një skuadër të mirë dhe zhvillon futboll të bukur”.
“Prishtina edhe në këtë takim synon fitore sikurse në të gjitha ndeshjet e tjera. Për fat të mirë jemi në formë të mirë dhe këtë e kemi shfaqur edhe në ndeshjet e fundit. Pres qe me përkrahjen e tifozëve do t’i arkëtojmë pikët e plota”, ka thënë Pllana.