PLLEVNESHI “FLET” EDHE NË GJUHËN SHQIPE
Romani i shkrimtarit maqedonas Jordan Pllevnesh, “Mrekullia e tetë botërore”, me iniciativën e profesor Haqif Mulliqit, të përkthyesit Agim Poloska e me përkrahjen për botim nga Ministria e Kulturës e Kosovës, nga ministri Kujtim Gashi, është sjell në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”.
Ky roman, para se të kthehet në shqipe, nga gjuha e origjinalit, veçanërisht nga frëngjishtja dhe anglishtja, është përkthyer edhe në njëzet gjuhë të tjera të botës. Kudo që është përkthyer dhe botuar, është pritur dhe vlerësuar mirë. Për të kanë shkruar revistat dhe gazetat “Le monde“, “New York Times“, “Le Figaro“, “The Guardian…”
“Mrekullia e tetë botërore” është një roman për fatin e maqedonasve dhe të Maqedonisë, për fatin e të gjithë qytetarëve të saj dhe të qytetërimeve mbarëbotërore; për Kishën e Përkujtimit në Berlin, për ndërtimin e dhjetëra kishave dhe objekteve të kultit në botë dhe për idenë për ndërtimin e mrekullisë së tetë botërore në Maqedoni.
Për ta ndërtuar këtë objekt, i rëni nga 53.5 metra lartësi, merr pëlqimin e Krishtit, të Muhamedit, të Budës, të Aleksandrit… Po, se a ndërtohet ajo mrekulli botërore në Maqedoni, mbetet ta lexoni këtë roman që vazhdimisht ju provokon me tema letrare dhe me tema historike, epike, biblike, kuranore, sociale, psikike, erotike...
SHËNIME PËR AUTORIN
Jordan Pllevneshi (1953) ka lindur në fshatin Sloestica në jugperëndim të Maqedonisë Veriore. Ka kryer studimet në Fakultetin e Filologjisë në Shkup, kurse studimet postdiplomikenë Universitetin e Sorbonës si dhe në Universitetin e “Shën Cirilit dhe Metodit” në Shkup në fushën e teatrit tradicional maqedonas. Pasi shkoi në Paris në vitin 1988, filloi të shkruajë dhe të publikojë tekste në median franceze dhe në atë angleze. Publikimet e tij shkencore zënë vend në 300 njësi bibliografike. Ai ka qenë profesor i përkohshëm në shumë universitete të Evropës dhe të Amerikës.
Jordan Pllevnesh është shkrimtar me publik të gjerë ndërkombëtar, është autor i disa dramave të cilat i janë shfaqur në mbi 50 teatro të ndryshme të botës, i shumë romaneve të cilat i janë përkthyer dhe publikuar në disa gjuhë të ndryshme.
Për veprimtarinë e tij kanë shkruar revistat dhe gazetat Le Monde, New York Times, Le Figaro, The Guardian…
Pllevnesh është autor i një serie dokumentarësh që lidhen me njeriun e shekullit XX, me personazhe si Peter Brook, YvesBonfoa, Herbert Lotman, Nicolas Bouvier, Claude Lelouch, Charles Aznavour, Claudia Cardinale etj. Po ashtu, është autor dhe skenarist i filmit “Secret Book” me Jean Claude Carriere si dhe shkrues i pjesës më të fundit “Human revolution”.
Mes viteve 2000 dhe 2005 Pllevnesh ka qenë ambasador i Maqedonisë së Veriut në Spanjë, Francë dhe Portugali. Në vitin 2006 është emëruar president i Komitetit të UNESCO-s për dialogë mes qytetarëve, kurse në vitin 2007 ka themeluar Universitetin e Arteve Audiovizuale ESRA, i cili ka degë në Paris, Shkup dhe Nju Jork.