Plot derbi në basketboll
Kjo fundjavë do të sjellë ndeshje shumë interesante në Superligën e Kosovës në basketboll, ku secili takim është më interesant se tjetri. Xhiroja e 26-të do të hapet me duelin Trepça – Feronikeli, dy skuadra që kanë si synim mbetjen në elitë.
Të dy skuadrat kanë nga 27 pikë apo pesë fitore dhe 17 humbje, duke u renditur në vendin e shtatë, përkatësisht të tetë, andaj pritet një sfidë shumë interesante. Të shtunën në mbrëmje ballafaqohen dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës, Bashkimi dhe Sigal Prishtina.
“Bardhekaltrit” janë liderë me 39 pikë, kurse prizrenasit ndodhen në vendin e gjashtë me katër pikë më pak. Të dielën është superndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Pejës, dy skuadra që u ballafaquan edhe në finale të Kupës, ku triumfuan pejanët. Skuadra therandase ndodhet në vendin e tretë me 38 pikë, kurse ajo pejane renditet në vendin e pestë me 35 pikë.
Takimi i fundit është ndërmjet Rahovecit dhe Ponte Prizrenit, dy skuadra që ndodhen në top 4. Vreshtarët renditen në vendin e dytë me 38 pikë, një më pak se liderja, Prishtina, kurse skuadra prizrenase është në vendin e katërt me dy pikë më pak. Lipjani pushon në këtë xhiro.
SUPERLIGA – Java 26
Të shtunën takohen:
17:00 Trepça – Feronikeli
19:00 Bashkimi – Sigal Prishtina
Të dielën takohen:
17:00 Golden Eagle Ylli – Peja
19:00 Rahoveci – Ponte Prizreni
/Epoka e re/