Plot oferta për Balajn, e ardhmja afër Prishtinës
Ylli i futbollit të Pejës, Liridon Balaj, është gati të ndryshojë skuadër për ta ndjekur ëndrrën e çdo futbollisti që të zhvillohet sa më shumë si futbollist. Balaj për “Epokën e re” ka bërë me dije se fillimisht po synon të fitojë përvojë në futbollin e Kosovës, më pas ta ndjekë rrugën e ish-lojtarëve të Besës, Bernard Berishës dhe Fatos Beqirajt.
Edicioni i futbollit 2017/2018 për futbollin pejan do të mbahet mend gjatë, pasi Besa klubi, që është krenaria e qytetit të Pejës, ka rënë për herë të parë nga Superliga, por ky edicion do të mbahet në mend edhe për zbulimin e yllit, Liridon Balaj. Ky i fundit, pavarësisht prej rezultateve jo të mira nga Besa, në aspektin personal ka shkëlqyer dhe kjo ka bërë që shumica nga klubet e elitës të vihen në kërkim të tij. “Kam filluar të luaj futboll në moshën 10-vjeçare në akademinë e klubit të Besës, kurse tash më është dhënë rasti të luaj në ekipin e parë. Jam shumë i lumtur”, kishte qenë deklarata e Balajt në muajin maj për “Epokën e re”.
Balaj ka folur të martën për gazetë, duke mos hezituar t’i tregoj edhe emrat e skuadrave që janë duke e kërkuar në këtë afat kalimtar. Ai ka konfirmuar se në mesin e tyre është edhe skuadra më e madhe në vend, Prishtina. “Jam duke stërvitur në Besë, por mendoj të largohem nga ky klub. Oferta kam nga shumica e klubeve, duke përfshirë edhe Drenicën, Lirinë dhe Prishtinën. Ende nuk kam vendosur se ku do ta vazhdoj karrierën, por sigurisht se në njërën prej skuadrave të elitës”, ka thënë ai. I pyetur se a po largohet nga Besa për shkak të rënies nga Vala Superliga, Balaj është përgjigjur: “Jo, mendoj të largohem pasi mendoj se është më mirë për karrierën time”. “Çdo futbollist në botë e ka ëndërr të luajë në liga dhe skuadra sa më të forta. Personalisht dëshiroj të fitoj sa më shumë përvojë dhe në një të ardhme të afërt të angazhohem në ndonjë skuadër jashtë Kosovës”, ka deklaruar Balaj.
Duhet cekur se skuadra e Besës ka nxjerrë shumë lojtarë që kanë bërë emër në Kosovë dhe jashtë saj. Ndër lojtarët kryesor që ka lënë gjurmë në futbollin vendor janë Haxhi Zeka, Valmir Bytyqi, Fetim Kasapi, Ilir Nallbani, Dugagjin Gashi, Fisnik Papuqi, Mensur Duraku, Krenar Vokshi e shumë të tjerë, kurse Bernard Berisha dhe Fatos Beqiraj janë dyshja që kanë shpërthyer edhe në arenën ndërkombëtare.
(Veton ZYMBERI)