‘Po bëni pyetje sugjestive…është e pasaktë’ – Si u përplas avokati Emmersoni me gjyqtarin e Speciales?
Disa pyetje që njëri nga gjyqtarët ia ka bërë dëshmitarit Sadik Halitjaha gjatë ditës së djeshme, ka shkaktuar përplasje të ashpër në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Pothuajse për dy ditë me radhë kanë qenë gjyqtarët ata që e kanë marrë në pyetje ish-eprorin e UÇK-së në zonën e Pashtrikut, Sadik Halitjaha.
Megjithatë, kur gjyqtari zviceran Metro po e pyeste Halitjahën për një rregullore të UÇK-së, aty ka ndërhyrë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Emmersoni e ka akuzuar gjyqtarin se po bën pyetje sugjestive, raporton “Nacionale”.
“Ai ka përdorur fjalën rregullore, ka thënë që nuk janë përdorur asnjëherë. Do të ishte e dobishme për dëshmitarin që pyetjet të mos ia bëni sugjestive dhe ti kërkoni atij që të komentojë”, ka thënë Emmersoni.
Këtu ka reaguar gjyqtari Metro.
“Mbani komentet për më vonë”, ia ka kthyer gjyqtari zviceran.
Avokati Emmersoni përsëriti kundërshtimin e tij.
“Unë po ngre kundërshtim dhe kam të drejtë”, ka thënë avokati i Veselit.
“Po nuk thatë kundërshtim?”, ia ka kthyer sërish gjyqtari.
Emmersoni ka insistuar se pyetja e gjyqtarit ishte përfaqësim i pasaktë.
“Është sugjestive dhe është përfaqësim i pasaktë i dëshmisë së tij”, ka thënë avokati britanik.
Këtu ka ndërhyrë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Ai ia ka rrëzuar kundërshtimin Emmersonit.
“Do të keni mundësinë tuaj për të bërë pyetje. Kundërshtimi juaj rrëzohet”, ka thënë Charles Smith.
Kjo nuk është hera e parë që Ben Emmerson kapet me gjyqtarët në seancë. Kohë më parë ai ka kërkuar sqarime se deri në cilën masë mund të kundërshtojnë pyetjet e gjyqtarëve, duke vlerësuar se disa nga pyetjet janë sugjestive.