Po dëshmohet në vepër se ç’asociacion kërkon Vuçiqi!

12 qershor 2023 | 15:15

Hasan Mujaj

Sipas politikës së Vuçiqit Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive në mënyrë që, më pas, të shpallë referendum për t’iu bashkuar Serbisë. Pikërisht këtu qëndron pretendimi politik i kryetarit serb. Këtë pretendim e ka parë qartë dhe e tha korrekt edhe kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme i Senatit Amerikan Bob Menendez para pak ditësh: “Kosovës po i bëhet presion i njëanshëm për Asociacionin; s’ka garanci se s’do të jetë një “Republika Srpska e dytë!”

Protestat vandale të serbëve të komunave veriore të Kosovës, që diktohen nga Vuçiqi, janë dëshmi pragmatike se ai synon ta pushtojë me dhunë territorin e Veriut të Kosovës. Në ballë të këtyre protestave të dhunshme e provokuese janë vënë kriminelët e mëdhenj të grupit vrastar të Veljko Belivukut – një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Vuçiqit për veprimtarinë kriminale dhe kriminelët e tjerë të koordinatorit Damjan Knezheviq në bashkërendim me grupin paramilitar rus, i quajtur “Wagner” me seli në ish-Leningradin, në Shën Petersburgun e sotëm.

Sikundër u pa, kriminelët e Beogradit zyrtar sulmuan e plagosën, disa edhe me armë zjarri, rreth tridhjetë ushtarë të paqes së KFOR-it, sulmuan policinë e Kosovës dhe gazetarët, dogjën vetura e vepra të tjera penale. Ky veprim i dhunshëm i protestave serbe, që u zhvillua sipas diktatit të politikës së Beogradit, quhet tentim i uzurpimit të territorit të huaj; ky veprim, që u bë në bashkërendim me strategjinë e Kremlinit përmes ambasadës ruse në Beograd, është cenim flagrant i sovranitetit territorial të një shteti të pavarur e të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Mendimi fiktiv i G. Rakiqit se Qeveria e Kosovës po i terrorizon serbët e komunave veriore, është propagandë shterpë. E vërteta është se policia e Kosovës po e lufton krimin e organizuar nga kriminelët e partisë politike “Lista serbe” të prirë nga Radoiçiqi me fletarrest nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe në Listën e Zezë amerikane. Serbët e Kosovës i kanë të garantuara me ligje të gjitha të drejtat nacionale, fetare, kulturore, shtetërore, gjuhësore etj. madje aq sa nuk i ka asnjë minoritet në Ballkanin Perëndimor as në shumë shtete të tjera.

Arrestimi, burgosja e dënimi i ndonjë krimineli serb absolutisht nuk është tregues i padrejtësive që u bëhen serbëve të Kosovës. Assesi. Kriminelët dhe veprat terroriste ndiqen e dënohen në çdo shtet ligjor pa marrë parasysh përkatësinë nacionale të tyre. Se në komunat veriore me shumicën serbe veprojnë organizata terroriste e kriminale, e thonë shumë qytetarë të atjeshëm serbë, liderë të patizave politike, Lëvizja Qytetare, Përgjigjja (“Odgovor”) etj. Kjo e fundit, në një shkrim në “Twitter ” thotë se “ fajtor për këtë gjendje është presidenti serb Aleksandar Vuçiq.” Kjo Lëvizje pohon: “ Organizatat terroriste: Lista Serbe, Brigada e Veriut dhe Wagner, të cilat kontrollohen nga Vuçiqi, do të shkaktojnë gjakderdhje në Kosovë e në Serbi.” Reagimet e kësaj natyre sa vijnë e shtohen. Dorëheqja e kryetarit të Serbisë kërkohet edhe nga mijëra qytetarë në Beograd e në qytete të tjera të Serbisë.

Në një paraqitje publike kryetari autokrat serb tha: “ Do t’i marr të gjitha masat për ta mbrojtur popullin serb në Veriun e Kosovës. Në realitet ai po e vë në trupëzim dhunën e protestave në krye me paramilitarët e maskuar serbë për t’i mbrojtur kriminelët serbë – bashkërendues e besnikë të tij, të cilët veprojnë në këtë territor të Kosovës.

Kjo strategji kriminale e Vuçiqit është analoge me atë të Putinit: ai e sulmoi ushtarakisht Ukrainën kinse për t’i mbrojtur të drejtat e rusëve në këtë shtet. Por, gjendja faktike flet ndryshe. Ajo qëndron në implikaturën e pashprehur publikisht e politikisht, porse të nënkuptueshme pragmatikisht e semiotikisht: pushtim territori me luftën e armatosur! I këtillë është edhe qëllimi kryesor i Vuçiqit, i cili mund të demaskohet vetëm me një pyetje retorike.

Përse Vuçiqi i veçon vetëm serbët e Veriut të Kosovës?

Që nga qershori i vitit 1999, kur Serbia e nënshkroi kapitullimin se e humbi luftën e armatosur me Kosovën, vijuesi i politikës së Milosheviqit – Vuçiqi, ashtu sikundër edhe pararendësit e tij, nuk merret me serbët e komunave të tjera të Kosovës p. sh. të Pejës, të Gjilanit etj., por vetëm me serbët e komunave veriore të Kosovës?

Sepse, këtë pjesë të Republikës së Kosovës (komunat me shumicën serbe) e llogarit t’ia aneksojë Serbisë dhe kjo është ajo “zgjidhje kompromisi” që ai e përmend sa herë që diskutohet çështja e Kosovës! Nga protestat e dhunshme të serbëve në të cilat u identifikuan policë e paramilitarë të ardhur nga Serbia nergut për protestat dhe u treguan radikalë e agresivë në përdorimin e dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e policisë së Kosovës, u pa qartë se Beogradi shkeli Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në të cilën, ndër të tjera, thuhet: “ KFOR-i ka për mandat tërheqjen dhe parandalimin e kthimit të ushtrisë jugosllave në Kosovë, të policisë dhe të forcave paramilitare.” Pjesëtarë të maskuar të dy njësive (policë e paramilitarë) u vunë re në ballë të protestave!

Pretendimet ekspansioniste të politikës agresive të Beogradit për t’i pushtuar me dhunë territoret shqiptare janë shumë të njohura gjatë historisë, sidomos që nga viti 1877/78 me krahinën e Toplicës etj. dhe në vijimësi më pas. Ato po përsëriten edhe sot ndaj shtetit të Kosovës.

Politikën destabilizuese e luftënxitëse të Vuçiqit tani po e shohin dhe po e kritikojnë përditë jo vetëm opozitarët e ish-pushtetarët, por edhe shumë intelektualë të lartë, akademikë, shkrimtarë etj. serbë. Kështu p. sh. avokati serb Çedomir Stojkoviq, ndër të tjera, tha: “ Vuçiqi nuk ka qenë kurrë i paqes, kurrë nuk ka dashur pajtim të vërtetë mes popujve të kësaj ane.” Ky avokat shtoi:  “Strategjia e Vuçiqit është të krijojë kaos për të qëndruar në pushtet dhe për këtë i fajëson të tjerët, kroatët, boshnjakët; sot i fajëson vetëm shqiptarët.”

Fakti se kryetari serb e kërkon Asociacionin me kompetencat ekzekutive është dëshmi e pakontestueshme se pretendon të aneksojë rreth 17 % të territorit të Kosovës. Aksiomë. E vërtetë e padiskutueshme. Ai e tha publikisht: “Asociacioni sipas Kushtetutës së Kosovës është përrallë! ” Ai u tregua edhe më persuasiv:  “Krahas Asociacionit do të kërkoj edhe tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ato zona.” Andaj shtrohet pyetja: ç’dialog mund të zhvillohet rreth kësaj çështjeje nëse Asociacioni sipas Kushtetutës, që e kërkon me të drejtë Prishtina, ashtu sikundër edhe diplomatët amerikanë, qenka përrallë?!

Tërheqja e njësive policore – përrallë e Vuçiqit

Përrallë e vërtetë është kërkesa e Vuçiqit për t’i tërhequr njësitë policore të Kosovës nga komunat veriore. Këto qëndrime të Vuçiqit janë gjepura sa i takon realitetit e trupëzimit, porse janë argumente se ai provon të aneksojë territor të ri për ta labërguar hapësirën gjeografike të Serbisë! Ai synon të bëjë një hap të madh përpara për Serbinë e Madhe ashtu sikundër kishin bërë disa liderë të tjerë serbë para tij që nga Garashanini e deri te Milosheviqi. Pra, ky është qëllimi përse Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive në mënyrë që, më pas, të shpallë referendum për t’iu bashkuar Serbisë. Pikërisht këtu qëndron pretendimi politik i Vuçiqit.

Këtë pretendim e ka parë qartë dhe e tha korrekt edhe kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme i Senatit Amerikan Bob Menendez para pak ditësh: “ Kosovës po i bëhet presion i njëanshëm për Asociacionin; s’ka garanci se s’do të jetë një “Republika Srpska “ e dytë!” Kryetari Bob shtoi: “ Vuçiqi e ka narrativën e ngjashme me vizionin e Putinit. Ai nuk do ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit dhe nuk do ta njohë Kosovën e pavarur; Vuçiqi synon Serbinë e Madhe si dhe Putini Rusinë e Madhe.” Më se e vërtetë. Kështu thotë edhe realiteti në terren. Vuçiqi, përpara medieve, flet me ambiguitet dhe thoshte: “ Beogradi nuk i urdhëroi barrikadat “; në anën tjetër e trimëron Listën Serbe: “ Beogradi është me ju. “ Hipokrizi e paparë. Paraqitje narciste. Këtij narcisti, ç’është befasi e madhe, shumë e madhe, i besojnë edhe disa zyrtarë të lartë të BE-së. Kështu, pas një takimi zyrtar me Vuçiqin, M. Lajçak tha: “ Pata diskutim të hapur e të sinqertë me Vuçiqin.” Konstatim ky frapant, aporetik dhe rreng!

Përcaktorët e Lajçakut (të hapur e të sinqertë ) janë shumë të dyshimtë semantikisht: diplomati sllovak, o nuk e njeh mirë politikën e Vuçiqit, o tumir në heshtje, do të thotë pranon t’i ndjekë gjurmët e tij në favorin e Serbisë! Kështu si Lajçaku, vepron edhe Borreli: e mbështet politikën e Beogradit përkitazi me Kosovën. Për protestat e dhunshme serbe shtoi: “ Autoritetet e Kosovës t’i suspendojnë operacionet policore në Veri.” Pra, sipas tij, policia e Kosovës duhet të largohet nga Veriu i Kosovës për të lënë hapësirë të lirë veprimi të kriminelëve serbë sepse këtë e kërkon Beogradi. Shihet se edhe ky i jep të drejtë Serbisë në përpjekjet që ajo po i bën për të rrëmbyer një pjesë të territorit të Kosovës.

Edhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, akademiku serb Tibor Ravad në RTS tha: “ Kosova nuk është pjesë “de facto” e Serbisë, …këtë duhet ta dimë tani.” Habi e madhe. Shumë e madhe. Pse disa faktorë më me ndikim ndërkombëtar i besojnë politikës oportuniste të Vuçiqit?

Zatën, ditë më parë, kryetari serb u stigmatizua nga burimi informativ më me zulmë në ShBA (Nju Jork Tajms) si prijës i grupeve kriminale, terroriste e korruptive në Ballkanin Perëndimor. Këto grupe, nën diktatin e Vuçiqit, veprojnë për ta destabilizuar Ballkanin duke hapur kështu një vatër të re krize.

Një tentim i këtillë u pa edhe në protestat e serbëve të këtyre ditëve në komunat veriore me shumicë serbe në të cilat haptazi u shprehën pretendimet hegjemoniste ndaj Veriut të Kosovës. Në këtë territor të Kosovës, me mbështetjen e Vuçiqit, zhvillohen dhe zgjerohen përditë: kriminaliteti, anarkia, terrorizmi, kontrabanda e armëve, trafikantët e drogës etj.

Ndërhyrjen e policisë së Kosovës për t’i kapur kriminelët, Beogradi zyrtar e quan sulm dhe kërcënim për ta përzënë popullatën serbe. Ironi e kohës. Qesëndi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Premierligës, West Ham United është duke planifikuar që…