Po dëshmohet pafajësia ime
Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit, i cili ishte dënuar me nëntë muaj burim nga Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2019, për veprën penale detyrim në tentativë.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e vet në “Facebook” se me vendimin e kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, vërtetohet pafajësia e tij. “Miq të dashur, me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, sot, u konfirmua pafajësia ime në lidhje me pretendimet e pabazuara të Prokurorisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Ademi.
Postimi i plotë i Ademit:
Miq të dashur, me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, sot, u konfirmua pafajësia ime në lidhje me pretendimet e pabazuara të Prokurorisë së Republikës së Kosovës. Me këtë aktgjykim, u konfirmuan shkeljet e shumta në të cilat ishin përfshirë Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit të Kosovës, të cilat padrejtësisht më shpallën fajtor në lidhje me veprën penale që pretendohej nga prokuroria. Që nga fillimi i këtij procesi penal, kam qenë i bindur në pafajësinë time dhe besimin në drejtësi, të cilën e vërtetoi edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me kthimin e çështjes në rivendosje. Besimi im në organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës nuk ka munguar asnjëherë, ashtu që ky besim më është shtuar pas këtij vendimi të drejtë dhe të ligjshëm për të cilin u njoftova sot.
Dua të falënderoj për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Federatës së Futbollit të Kosovës, organeve të saj, bashkëpunëtorëve të mi, avokatin e Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe avokatët e mi, të cilët bashkërisht kanë kontribuar për marrjen e një vendimi të drejtë dhe të ligjshëm.
Ju falënderoj të gjithëve për interesimin, mesazhet dhe urimet e shumta!
Ecim tutje me krenari e përgjegjësi drejt sukseseve të reja!
Me respekt,
Agim Ademi
President i Federatës së Futbollit të Kosovës