Po hetohet ndarja e 53 milionë eurove për ‘Bechtel- Enkan’
Kryeprokuroria dhe Policia e Kosovës janë duke hetuar ndarjen e 53 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për kompaninë amerikano-turke, “Bechtel- Enka”.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë”, se janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për “Bechtel-Enkan”.
Në një përgjigje përmes postës elektronike, ai ka thënë se “Prokuroria së bashku me policinë hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare”.
Në mbledhjen e së martës, Qeveria e Kosovës ka ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë në fjalë për punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, lidhur me këtë ka deklaruar se “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, “Bechtel-Enka” ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar në anën tjetër se po ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.