Po jetësohet kërkesa e AKK-së, funksionalizimi i grantit të katërt për komuna

20 gusht 2021 | 13:40

Kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) për formimin e grantit të veçantë për komuna do të funksionalizohet së shpejti. Granti i katërt për komuna ka për qëllim që niveli qendror t’i kanalizojë mjetet financiare për komuna përmes këtij granti.

Të premten është mbajtur takimi i përbashkët i AKK-së, Ministrisë për Financa, Pagesa e Transfere dhe akterëve të tjerë, ku u vendos që ky grant të përfshihet në Projektligjin e financave të pushtetit lokal. Takimi pati për qëllim përfshirjen në projektligj të grantit të katërt për komunat, siç është kërkuar edhe nga komunat përmes AKK-së.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se ky grant është shumë i rëndësishëm për komuna dhe realizimi i tij për pushtetin lokal në Kosovë do të jetë ndihmesë e madhe.

Duhet të theksohet se ky grant do të përdoret për financimin e projekteve kapitale të komunave, sipas përzgjedhjes së qeverive lokale, për zhvillim të gjithanshëm në sektorët si: turizmi rural, inovacioni, sportet, trashëgimia kulturore, arti, infrastruktura publike, sistemet e ngrohjes qendrore, furnizimi me ujë të pijshëm, mbarështimi dhe ripërtëritja e hapësirave të dëmtuara dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Vlen të theksohet se tashmë për komunat do të jenë katër grante, ai i përgjithshëm, granti për arsim, për shëndetësi dhe tashmë ky granti i katërt për investime kapitale publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra kampione në fuqi e Kosovës në futboll, FC Prishtina…