Po kërkojnë parcela me kanabis, policia “blindon” Malësinë e Madhe
Një operacion anti-kanabis po kryhet në Malësinë e Madhe nga policia e Shkodrës. 100 forca policore dhe 6 dronë janë angazhuar në operacion, me qëllim kontrollin e territorit malor.
Operacion i koduar “Alpe të pastra” do të zhvillohet në territorin e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në zonat me risk te lartë kultivimi.
Fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë.
Grupet e kontrollit kanë në dispozicion dronë dhe do të kontrollojnë jo vetëm zonat malore, por çdo territor të këtyre zonave, duke u përqendruar edhe në ato zona që në vitet e kaluara, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bimë narkotike të kultivuara.
Gjatë momenteve të para të kontrollit, janë evidentuar disa vende të hapura rishtas, ku dyshohet se në këto miniparcela mund të kultivohet kanabis, të cilat do të mbahen nën kontroll nga shërbimet e Policisë në vijimësi, me qëllim parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Operacioni policor antikanabis “Alpe të pastra” do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, në territoret malore në të gjithë qarkun Shkodër.