‘Po kërkoni përgjigje të thjeshtë, për pyetje të vështirë’, ushtaraku amerikan tenton të shmanget nga pyetjet e avokatëve në Hagë

20 gusht 2024 | 12:43

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë ushtaraku amerikan, Steven Russell në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kundërpyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar mbrojtja e Selimit, përmes avokatit Eric Tully i cili u fokusua tek misioni i KFOR-it në Kosovë.

“Sikurse po iu thoja, udhëzimet tona ishin këto; Kartelat që nuk janë nga IOM-i apo Komisioni për zbatimin e përbashkët apo Kombet e Bashkuara duheshin sekuestruar. Nëse kishin lidhje me UÇK-në, qoftë nga kjo ministritë apo funksionet civile, ne e kishim për udhëzim, e kishim për direktivë që t’i sekuestronim, t’i merrnim këto”, u përgjigj fillimisht dëshmitari në pyetjet e avokatit Tully.

Por, Tully insistoi vazhdimisht në pyetjen e tij.

“Pyetja ime ishte kjo; ju nuk keni qenë në kontakt me këtë ministri për të komunikuar me ata dhe për t’i pyetur se kush kishte kartale të tilla identifikimi. Pra, ju kishit për detyrë vetëm që t’i merrni këto kartela?”, tha Tully.

Por sërish dëshmitari tha që “sipas marrëveshjes teknike ne e kishim për detyrë t’i merrnim këto kartela identifikimi”.

“Pra ju po përgjigjeni me jo, nuk ishit në kontakt me këtë ministri?”, pyeti sërish Tully.

Russell tha se sipas marrëveshjes nuk ekzistonin institucione legjitime sepse në atë kohë ishte mandati i OKB-së për ta kryer këtë, duke iu shmangur përgjigjes konkrete.

“Nga perspektiva jonë, ne kishim urdhra. Sipas marrëveshjes nuk ekzistonin institucione legjitime sepse atëherë ishte mandati i OKB-së për ta kryer këtë detyrë”, tha Russell.

“Po e marrë si jo”, tha Tully duke pasuar me përgjigjen e Russell i cili i tha “Merrne si të dëshironi”.

Por, Tully vazhdoi insistimin duke e pyetur se “A është a jo?”.

“Ju po bëni një pyetje shumë të vështirë dhe doni një përgjigje të thjeshtë”, tha dëshmitari.

“A e kontaktuat ndonjëherë ministrinë për t’i pyetur ata nëse kishin lëshuar kartela identifikimi”, tha Tully.

“Po flisnit për ministrinë e UÇK-së?”, tha dëshmitari.

“Po flas për Ministrinë e Rendit Publik”, tha Tully.

“Cila ministri?”, tha dëshmitari.

“A ka pas KFOR-i kontakt me këtë ministri për të pasur evidenca se kush kishte letërnjoftime të tilla”, tha Tully.

Krejtësisht në fund, dëshmitari tha se nuk ishte letërnjoftim i lëshuar nga Kombet e Bashkuar dhe nuk ka pas arsye legjitime për ta kontaktuar ministrinë. /BetimiPërDrejtësi

“Ky nuk ishte një letërnjoftim i lëshuar nga Kombet e Bashkuara dhe nuk kishte arsye legjitime për të kontaktuar ministrinë e pretenduar, të paktën siç e konsideroni ju sepse ata nuk ishin një institucion legjitim. Si duhet të kontaktonim ne një ministri që nuk kishte autoritet për të ekzistuar”, tha dëshmitari duke shtuar se i fotografonin këto letërnjoftime dhe i përpunonin sipas shërbimit të tyre informativ dhe funksionit policor.

Tutje, Tully e pyeti dëshmitarin se a ka pasur mundësi që letërnjoftimet e tilla të blihen edhe në tregun e zi për çka dëshmitari tha që janë lëshuar nga Qeveria dhe që sa herë i gjenin i merrnin pasi sipas tij kishin direktiva të qarta që të mos legjitiminoni asgjë që nuk lejohej sipas mandatit të OKB-së.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, pjesëmarrës në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit i cili është prezent përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi…