
Po kontrabandonte 1.2 ton naftë nga Kosova, arrestohet kuksiani
Policia Kufitare ka vënë në pranga një 39-vjeçar nga Kukësi, i cili tentoi të fuste rreth 1.2 tonë naftë kontrabandë në Shqipëri nëpërmjet kufirit me Kosovën.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar në rrugën rurale Pakisht-Kukës, automjetin tip furgon, me drejtues shtetasin V. S., 39 vjeç, banues në Kolesian, Kukës, ku pas kontrollit në brendësi të furgonit, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1.2 tonë naftë të futur kontrabandë nëpërmjet Pakishtit, jashtë pikave të kalimit kufitar dhe shërbimeve doganore, duke iu shmangur kontrollit kufitar dhe doganor.
Sasia e karburantit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa drejtuesi i automjetit u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. /A2