Po largohen nxënësit nga shkollat e Kosovës, MAShTI jep shifra të ‘frikshme’
Viteve të fundit është duke shënuar rënie të vazhdueshme numri i nxënësve nëpër shkolla.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në një përgjigje për “Indeksonline” ka bërë me dije se sipas të dhënave që janë raportuar nga shkollat, në vitin shkollor 2021/2022 janë larguar 730 nxënës nga shkollat.
“Raportimi për nxënës të larguar bëhet sipas viteve shkollore andaj për këtë gjysmëvjetor jemi në procesin e grumbullimit të të dhënave“, ka njoftuar MAShTI.
Kësisoj, kjo ka ndikuar edhe në shuarjen e paraleleve. Nga ministria që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci kanë theksuar se “në bazë të kërkesave të komunave, bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 104/2020 për kriteret dhe proceduarat e themelimit dhe pushimit të veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar, pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativo-arsimor ose paraleles së ndarë gjatë vitit 2022 është si vijon: paralelja e ndarë në fshatin Dragaqinë që funksiononte në kuadër të ShFMU ‘Sadri Duhla’ në Duhël, Komuna e Suharekës, paralelja e ndarë në fshatin Padalishtë që funksiononte në kuadër të ShFMU ‘Tre dëshmorët e shkollës shqipe’ në Uçë, Komuna e Istogut”.
Më tutje, nga MAShTI kanë bërë me dije se në vitin 2022 janë ndërtuar 4 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta dhe 3 salla të edukatës fizike.