Po luanin bixhoz, arrestohen shtatë persona në Gjakovë, paratë u mbesin në tavolinë
Policia e Kosovës në Gjakovë ka treguar se përmes rrugëve operative dhe hetimore kishte pranuar informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Gjakovë ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit (bixhoz i paligjshëm).
Më 9 nëntor rreth orës 19:00, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Policia ka realizuar kontroll në lokalin ku dyshohej se ishte duke u zhvilluar dhe organizuar bixhoz i paligjshëm.
Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur dhe arrestuar shtatë persona të cilët ishin duke luajtur lojën e fatit të ashtuquajtur “Barbut”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari me inicialet P. P., i lindur në vitin 1963, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet se ishte organizatori i lojës dhe pronari i lokalit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.