Po lufton me jetën në QKUK, ish-luftëtarit të UÇK-së i refuzohet viza gjermane
Avni Hyseni ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është duke luftuar me jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mirëpo dje i është refuzuar viza gjermane për shërim jashtë vendit.
Vëllai i pacientit, Adnan Hyseni, i cili raportohet të ketë vënë në shitje gjithë pasurinë për ta shëruar Avninë, ka treguar se i është refuzuar viza gjermane në kohën kur, siç tha ai, “ti po lufton me jetën”.
“Nuk paska përjetim më të rëndë në jetë se kur një kërkesë për dërgim jashtëm vendit e që është jetike për jetë a vdekje për ty vëlla Avni Hyseni, të refuzohet nga Ambasada Gjermane në Kosovë vetëm për shkak të burokracisë së tyre. Kjo tregon se kush jemi ne në Kosovë dhe sa e vlefshme është jeta e një personi i cili nga sekonda në sekondë lufton me vdekjen”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, Adnan Hyseni.
Ndryshe, familjarët e Avniut ka kohë që janë duke kërkuar ndihmë financiare për shërimin e tij jashtë vendit.
Para pesë ditë më parë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e vizitoi në spital ish-luftëtarin e UÇK-së Avni Hysenin.