Po për Çlirimtarin 5-javësh, kush do ta bëjë drejtësinë?

28 mars 2023 | 12:52

Lëndina është përplot njerëz. Shumica prej tyre me lule dhe kurora në duar. Një erë e lehtë e ftohtë rrokë fytyrën e një gruaje të moshuar, kurse lotët duket se nuk rridhnin nga temperaturat e ulëta.

Ajo po çmallet me varrin e një të afërmi që e humbi 24 vite më parë. Është vetëm njëri nga 147 të vrarët e ngjarjes së kobshme për familjet shqiptare – ngjarje ajo që më vonë u njoh si Masakra e Izbicës, një nga më të llahtarshmet e luftës së Kosovës.

U vranë nga gjenocidi serb. Ishin të pambrojtur, pa armë në duar, ishin pleq, gra e fëmijë. Edhe Çlirimtari është në mesin e viktimave. Foshnja që sapo kishte nisur jetën – pa e ditur se kjo jetë ka hilet e saj. Vetëm sa kishte mbushur 5 javë, Çlirimtari vritet nga plumbi i ushtrisë dhe policisë serbe, më 28 mars të vitit 1999.

“Kjo që u shkaktua këtu, është burim i një hakmarrjeje”, thotë njëri nga dëshmitarët e kohës.

Hakmarrje, mllef i shpërfaqur, dhe neveri njëkohësisht. Kjo ishte ndjenja dhe veprimi i policisë dhe njësive paraushtarake serbe, që bënin zakonisht kur në vijat e luftës shkaktohej humbja nga djemtë dhe vajzat e reja në uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, 24 vite nga ajo masakër, familjet janë mbledhur në lëndinën që numëron më shumë se 140 varre.

Po bëhet homazh për familjarët e vrarë.

Një tubim përkujtimor në nderim të viktimave është organizuar këtë paradite. Ka njerëz të jetës ushtarake, kulturore, politike dhe të tjerë.

“Nuk harrohet ngjarja e 24 viteve më parë. Nuk harrohet ajo çfarë ndodhi këtu. Nuk do të harrohet kurrë për aq kohë sa të ekzistojë njerëzimi”, thotë Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt, e cila ka organizuar këtë tubim, gjatë fjalimit para të pranishmëve.

Sami Lushtaku, një gjeneral i luftës së fundit të Kosovës, njëherit nënkryetar i Skenderajt, e kujton 28 marsin e vitit 1999 – vitin e çlirimit të Kosovës.

Ndoshta për faktin se ka qenë i përfshirë në luftë, për Lushtakun ndjenjat janë të forta.

“Nuk kemi si të mos ndjenjë veç mallit edhe një lloj nervoze dhe shqetësimi. Kemi drejtësi të njëtrajtshme sot. Drejtësi asimetrike. Derisa çdo vit kujtojmë këto viktima të Masakrës së Izbicës, dhe masakrat tjera, ngjarjet që humbëm shumë qytetarë, civilë të pafajshëm e të pambrojtur, pleq, gra, të reja e të rinj, foshnje madje, shoqëria vuan akoma nga padrejtësitë që na u janë shkaktuar. Sot krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në emër të asaj që quhet drejtësi”, shprehet gjenerali i luftës me një dozë mllefi.

Masakra e Izbicës është njëra ndër masakrat më të tmerrshme që shkaktoi shteti verior i Kosovës – Serbia. Askush nuk dënua deri më sot për ato që u shkaktuan në këtë masakër. Ndërkohë, edhe qindra familje tjera nga kjo komunë, vazhdojnë të jetojnë me ankthin e mungesës së familjarëve të tyre të zhdukur, fati i të cilëve 24 pas luftës së Kosovës, nuk është zbardhur, në janë të vrarë apo, në rastin më të mirë, po mbahen diku, gjë që është vështirë e besueshme.

Komuna e Skenderajt nisi këtë javë një mobilizim me shërbimet publike dhe jopublike, në kuadër të përgatitjeve për aktivitetin e së dielës, më 2 prill. Një marsh i quajtur “Marshojmë për drejtësi” do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës – Prishtinë.

Epoka e Re/IZBICË – SKENDERAJ

28 MARS 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mauro Icardi u kthye në Turqi dhe e bëri këtë…