“Po përgatisnin komplot për ta vrarë presidentin”, Venezuela fajëson CIA-n
Autoritetet e Venezuelës pohuan se kanë arrestuar tre shtetas amerikanë, dy spanjollë dhe një shtetas çek, të dyshuar për komplot për të destabilizuar vendin.
Ministri i Brendshëm Diosdado Cabello theksoi se qindra armë ishin konfiskuar dhe se të arrestuarit po përgatisnin komplot për të vrarë presidentin Nicolas Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Kjo lëvizje e Venezuelës vjen dy ditë pasi Washingtoni sanksionoi 16 zyrtarë venezuelas, të cilët janë të lidhur ngushtë me presidentin Maduro, pas fitores së tij të diskutueshme në zgjedhje.
Qeveria e Venezuelës pretendon se spanjollët e arrestuar ishin të lidhur me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës të Madridit (CNI). Megjithatë, burime të qeverisë spanjolle u kanë thënë mediave lokale se të arrestuarit nuk i përkasin organizatës së inteligjencës.
Në një konferencë shtypi, ministri Cabello drejtoi gishtin e përgjegjësisë te SHBA, duke thënë se “CIA po udhëheq këtë operacion, dhe kjo nuk na habit, por ata, Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës, kanë mbajtur gjithmonë një profil të ulët duke e ditur se CIA operon në këtë zonë”, raporton BBC.
“Këta dy të arrestuar madje na tregojnë për një grup mercenarësh që kërkojnë të sjellin në Venezuelë me objektiva shumë të qarta për të vrarë Presidentin Nicolas Maduro, Zëvendës Presidentin Delcy Rodriguez, mua dhe një grup tjetër shokësh që udhëheqin partinë tonë dhe revolucionin tonë.
Përkundër pretendimeve të Venezuelës, Departamenti i Shtetit Amerikan i ka hedhur poshtë akuzat.
“Çdo pretendim për përfshirjen e SHBA në një komplot për të përmbysur Maduro është kategorikisht i rremë”, sipas Departamentit të Shtetit, i cili thotë se Uashingtoni “vazhdon të mbështesë një zgjidhje demokratike të krizës politike në Venezuelë”.