Po përgatitet padia kundër Serbisë, Haxhiu s’jep hollësi

08 shtator 2022 | 08:30

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qeveria është duke e përgatitur padinë për krime kundër Serbisë. “Ne jemi duke punuar për ta paditur Serbinë për krimet që ajo i ka bërë në Kosovë”, ka treguar ajo.

Duke folur lidhur me këtë temë, ministrja Haxhiu ka thënë se padia për krime kundër Serbisë është nën kompetencë të zyrës së kryeministrit.

“Nuk mund të jap detaje, sepse kjo është në kompetencë të zyrës së Kryeministrit. Por është duke u punuar në këtë drejtim. Është formuar edhe instituti për krime. Krimet e luftës nuk mund të amnistohen, dhe kjo s’ka lidhje me dialogun që po zhvillohet me Serbinë”, ka folur ajo në ATV.

E pyetur për prolongimin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se procesi prej fillimit ka qenë me probleme.

“Ne kemi tërhequr vërejtjen qysh në fillim, tani le të shteren të gjitha procedurat ankimore”.

Lidhur me reformat në drejtësi dhe avancimin e legjislacionit, ministrja Haxhiu ka bërë me dije se brenda këtij muaji Kodi i ri Civil do të procedohet në Kuvend.

“Ne besojmë se do të votohet. Është një dokument shumë i rëndësishëm për vendin. Shpresojmë që deputetët do ta mbështesin! Po flas për shumicën, për disa deputetë që jemi shumë të unifikuar. Ky është një hap i mirë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Haxhiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një superjaht me emrin “007”, si i agjentit të famshëm…