Po punojmë për vizat për kosovarët që duan ta vizitojnë Izraelin

19 gusht 2022 | 13:34

Izraeli e përkrah dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk sheh ndonjë rol më aktiv të saj në këtë drejtim.

Kështu ka thënë në një intervistë për “Radio Kosovën”, ambasadorja e Izraelit të Kosovë, Tamar Ziv.

Ajo ka thënë se pret që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve të përforcohet në të ardhmen.

Më tutje, ajo ka bërë me dije se janë duke punuar për vizat për të gjithë qytetarët që dëshirojnë ta vizitojnë Izraelin.

Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë vitit të kaluar Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Në çfarë drejtimi mendoni se po zhvillohen raportet ndërmjet dy vendeve?
Tamar Ziv: Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike që nga shkurti i viti 2021 dhe për këtë, Izraeli ndihet mirë dhe është angazhuar për  thellimin e këtyre marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.  Kosova ka hapur ambasadën në Jerusalem, një muaj më vonë, dhe në ishim shumë të kënaqur dhe mirënjohës për këtë. Unë kam filluar punën time si ambasadore e Izraelit në Kosovë në prill të këtij viti. Që nga vendosja e raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe më shumë që nga nominimi im në pozitën e ambasadores, ne kemi filluar të punojmë në vendosjen e raporteve në disa drejtime. Mendoj, që një nga drejtimet më të rëndësishme është themelimi dhe përforcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet vendeve tona. Mendoj që ka shumë fusha në të cilat mund t’i zhvillojmë këto raporte. Jam shumë e kënaqur me hapjen e Korporatës për Zhvillim dhe Investime Kosovë – Izrael. Kjo Odë është duke punuar me Odën Ekonomike të Kosovës, por edhe Odat e tjera, në mënyrë që të organizojë një takim e që shpresojmë në nëntor, të bizneseve kosovare në Izrael dhe pastaj mendojmë edhe për një vizitë të delegacionit izraelit në Kosovë,  në fillim të vitit 2023.

A mendoni që Izraeli duhet të ketë një rol më aktiv në zgjidhjen e problemit politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Tamar Ziv: Mendoj që Izraeli e përkrahë arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shpresojmë që dy vendet të arrijnë një marrëveshje sa më parë. Por jam e bindur që ju jeni duke u ndihmuar mjaftueshëm nga partnerë të rëndësishëm siç është Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj nuk mendoj që Izraeli ka çfarë të shtojë në këtë çështje, pas të cilës qëndrojnë shtete të fuqishme.

Kosova është një ndër shtetet e pakta që ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem. Madje për këtë ka marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.  A mund të pritet që edhe Izraeli të hapë ambasadën e saj, ose të paktën konsullatë në Kosovë?
Tamar Ziv: Po, natyrisht! Por ky është një proces. Mendoj që duhet tët fillojmë të punojmë në vendosjen e raporteve, duke e ngritur përmbajtjen dhe duke i rritur marrëdhëniet ekonomike. Dhe mendoj që kjo do të vije më pas. Për sa i përket çështjes së vizave për kosovarët që duan të vijnë në Izrael, është një punë që jemi duke punuar dhe shpresojmë që brenda muajve të ardhshëm të kemi diçka konkrete në këtë drejtim.

Pas luftës në Ukrainë, e kemi  parë edhe më shumë ndikimin e  Kinës, Rusisë në Ballkan? Si e shihni këto zhvillime që kanë prekur Evropën?
Tamar Ziv: Të gjitha vendet janë prekur nga kjo politikë globale që është krijuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ballkani është i prekur nga kjo krizë, Lindja e Mesme, Lindja e Largët, pra, të gjithë jemi të prekur nga kjo krizë. Pra, kjo është një çështje e madhe në nivel botëror e që ka efektet e saj në pjesë të ndryshme të botës dhe në mënyra të ndryshme.

 Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve,  në Kosovë është hapur edhe Korporata për Zhvillim dhe Investime Kosovë – Izrael.  A është Kosova treg në të cilin do të investonin kompanitë izraelite?
Tamar Ziv: Po mendoj që po, sepse kompanitë izraelite tashmë veç kanë investuar në Kosovë, madje edhe para se të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve. Ka mjaft sipërmarrës izraelitë që punojnë në Kosovë. P.sh: një fushë shumë interesante është ajo e energjisë së ripërtërishme ku një kompani izraelite së bashku me një kompani gjermane krijuan turbinat e erës, përmes të cilave krijohet energji në Kosovë. Pra mendoj që ka fusha të ndryshme që janë potencialë për investime, si p.sh: prodhimi i ujit, agrikultura, ndërtimet etj.  Pra, shoh shumë mundësi të bashkëpunimit dhe zhvillimeve që mund të bëhen ndërmjet kompanive të të dyja vendeve.

 Izraeli ka mbështetur disa organizata bamirësie në Kosovë. A do të vazhdojë kjo mbështetje në të ardhmen për Kosovën?
Tamar Ziv: Po mundohemi të bëjmë aq sa mundemi. Jam  e lumtur që kemi arritur t’i dhurojmë  90 karrige për fëmijët me nevoja të veçanta. Mendoj që kjo është një iniciativë e mirë. Tani po mendojmë si do të punojmë në fusha të tjera, p.sh: me njerëzit me nevoja të veçanta. Tashmë veç jemi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë për të punuar në këtë drejtim. Shpresoj që brenda muajve të tjerë ekspertët izraelitë do të arrijnë në Kosovë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë, në fusha të ndryshme. Pra, definitivisht jemi duke punuar në këto fusha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Malit të Zi sot do të votojë mocionin…