Po punojmë ta takojmë Kurtin e Vuçiqin para pushimeve verore të BE-së
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak, ka thënë se po punohet për një takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në konferencën për media pas vizitës së tij treditore në Kosovë, ai tha se shpreson që ky takim të ndodhë para pushimeve verore të BE-së.
“Vizita ime si çdoherë ishte politike dhe kam pasur mundësi të takohem me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët kemi pasur diskutime të gjata sa i përket situatës aktuale me dialogun dhe gjithashtu hapat e ardhshëm. Siç e dini jemi nikoqir të takimit të kryenegociatorëve rregullisht çdo muaj dhe takimi i radhës do të jetë në korrik.
Gjithashtu po punojmë që t’i takojmë Kurtin dhe Vuçiqin, kjo do të dëshiroja të ndodhë para pushimeve verore në Bruksel, jemi duke punuar që të krijojmë mundësitë për këtë”, tha ai.