Po synojmë t’i ndajmë mbi 160 milionë për Kosovën
Shefja e Zyrës e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, i ka uruar të gjithë miqtë dhe partnerët me rastin e Ditës së Evropës. Në një videoje ajo ka shfrytëzuar rastin t’i falënderojë të gjithë evropianët që po ndihmojnë për luftimin e pandemisë COVID-19.
Apostolova ka theksuar se Bashkimi Evropian synon t’i ndajë mbi 160 milionë euro për Kosovën, të cilat do të shërbejnë për stabilizimin e ekonomisë në vend.
“Bashkimi Evropian është duke ofruar mbështetje ekonomike në formën e granteve dhe huazimeve me qindra miliona euro për ta mbështetur ekonominë, për t’i mbrojtur vendet e punës të rrezikuara nga pandemia në të gjithë Ballkanin.
Vetëm për Kosovën ne po synojmë t’i ndajmë mbi 160 milionë euro për stabilizim makro-ekonomik dhe mbështetje socio-ekonomike. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë”, ka thënë ajo.
(B. D.: “Epoka e re”)