Po vazhdojnë punimet në rregullimin e rrugës “Ibrahim Mazreku” në Malishevë
Ndërtimi i rrugës “Ibrahim Mazreku” me tërë infrastrukturën përcjellëse të saj, është duke vazhduar sipas dimanikës së paraparë për realizimin e projektit, njëkohësisht është duke vazhduar edhe lirimi hapësirës publike përgjatë kësaj rruge.
Punimet në këtë rrugë, të enjten i ka parë nga afër edhe nënkryetari i komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, së bashku me drejtorët e drejtorive përkatëse të urbanizmit dhe të inspektoratit, Avdi Morina dhe Hafir Rexha, si dhe zyrtarët përgjegjës për realizimin e këtij projekti.
“Kam parë nga afër punimet në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ dhe jam njoftuar nga përgjegjësit për ecurinë e punimeve të deritanishme. Mund të them se jemi të kënaqur me ecurinë e punimeve dhe realizimin e projektit dhe besojmë shumë se i tërë projekti do të përfundojë sipas planifikimit. Ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë të gjithë qytetarët, të cilët e kanë mirëpritur këtë projekt dhe janë duke bashkëpunuar në realizimin e tij”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Krasniqi, gjatë inspektimit të punimeve në këtë rrugë.