Po vazhdon çarja e lisit nga pyka e vet

04 nëntor 2018 | 12:40

-Me rastin e botimit të “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës” nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK)

Sylejman Krasniqi  

Para katër vitesh e pata përpilua një shkrim me, përafërsisht, të njëjtin titull (“Lisi çahet vetëm nga pyka e vet” të botuar në “Epokën e re” të datës 19 gusht 2014) dhe me shpresën se tema e shkrimit  nuk do të ketë  jetëgjatësi dhe do të harrohet shpejt. Shqetësimin që e paraqita me atë shkrim mendoja se nuk do t’i qëndrojë kohës dhe se shpejt do të venitet. Por atë e bëra sepse në vete ndjeva detyrim t’a them atë çka mendoja për temën e ngritur nga shtytësi (frymëzuesi) i ati shkrimi.

Por, fatkeqësisht, ndrojtja dhe shqetësimi që e paraqita para katër vjetësh po del i qëlluar dhe aspak i këndshëm, pasi që shtrëngata e njëjtë nuk ka të ndalur. Titullin e shkrimit të para katër vjetëve  vetëm  ia përshtata vijimësisë.

Tani po i radhiti dy-tri fjalë për botimin e “Fjalorit enciklopedik të Kosovës”. Me këto pak fjalë nuk do të mundohem të bëjë analizë rreth “Fjalorit…” por, prapë, po e përsëris dhe po e ringris shqetësimin tim për dukurinë që po na përcjell në këto tridhjetë vitet e fundit dhe e cila, si duket, nuk do të ketë të ndalur. Nuk jam analist e as nuk jam marrë me shkencat shoqërore ndonjëherë, prandaj vetëm po e qes në shesh brengën time, për të cilën uroj që të jetë e gabuar.

Shumë furtuna, rrebeshe dhe stuhi kanë kaluar nëpër Iliri. Edhe më shumë hordhi të egra nga të katër anët e globit iu turrën Arbërisë. Në dyqind vjetët e fundit u rrudh tepër Shqipëria. Nga të katër vilajetet shqiptare, me tokë kompakte,  vetëm afër një e katërta u bë Shqipëri. Të gjitha perandoritë e fuqishme të botës ua vunë syrin tokave shqiptare. Gati të gjitha kaluan këndejpari, e dëmtuan qenien shqiptare por nuk mundën ta ç’bëjnë e as ta tjetërsojnë atë..

Gjatë gjithë historisë dymijëvjeçare qëndroj e vetme përballë të gjithë zaptueseve. Dha dhe mori nga gjuhët dhe kulturat e pushtuesve, por veten nuk e ndryshoj kurrë. Të gjithë pushtuesit , pa përjashtime, u munduan të na zhduknin nga faqja e dheut. Nuk kanë lënë mënyrë pa përdorur që nga: ndjekjet, ndërskamcat, burgosjet, helmimet, torturat më shtazarake pushkatimet, shpërnguljet masive dhe deportimet me dhunë. Të gjitha këto filluan të zbatohen mbi ne që nga fillimi i shekullit të XIX, e sidomos pasi fituan një lloj autonomie Greqia dhe Serbia nga perandoria Osmane me ndihmën e Rusisë cariste dhe të disa shteteve evropiane. Ato u zgjeruan shumë me territore në dëm të tokave shqiptare. Për t’i mbajtur territoret shqiptare dhe për të sigurua, mundësisht, edhe toka të tjera, qarqet shoviniste greko-serbe përpiluan  plane dhe projekte për zhdukjen e shqiptarëve. E filluan me “Megalli-idenë” dhe vazhduan me “Naçertanien”  e  deri tek planet e Çubrilloviqit, Ivo Andriqit, Dobrica Qosiqit dhe shumë të tjerëve.

Në të gjitha këto projekte fjalën kryesore  e  kishin Kishat Ortodokse dhe Akademitë e të dy shteteve. Të gjitha këto plane dhe projekte për zhdukjen e shqiptarëve në themel kishin vetëm dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve në mënyrë që të na ç’rrënjosnin ose të na asimilonin nëpërmjet ortodoksisë në grek, serb, malazez ose, së fundi, edhe në maqedonas. Derisa në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi i arritën disa rezultate në asimilim dhe në shpërngulje të shqiptarëve, në Kosovë këto metoda nuk iu dhanë rezultate të pritshme e as të kënaqshme.

Tani shovenët filluan të bëjnë hulumtime dhe analiza të tjera për gjetje të metodave të reja për ta hequr qafe këtë farë të “egër”. Dhe vetëm pritnin çaste  të leverdishme për t’u hedhur në sulm.

Dinakëria ortodokse nuk ka shembull. Në vitet e ‘50-’70-ta të shekullit të kaluar e hodhën në opinion tezën se shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera në ish-jugosllavi nuk janë të njëjtë me shqiptarët e Shqipërisë, sepse në Kosovë quhen “shiftari” e në Shqipëri janë “albanca”. Por inteligjenca shqiptare e asaj kohe, edhe pse në kushte shumë më të vështira, e rrëzoi përdhe këtë intrigë sllave që në embrion. Është i njohur reagimi i poetit të madh, Esat Mekuli, me vjershat e tij për sharraxhitë shqiptarë nëpër rrugët e Beorgad. Pasi edhe kjo teori nuk gjeti strehim në qarqet shqiptare në ish-Jugosllavi shovenët serb nuk u ndalen me kaq. I vunë në veprim të gjitha institucionet shkencore, fetare dhe politike në gjetjen e një zgjidhjeje për copëtimin e trungut shqiptar sepse si i tillë e kompakt, sipas tyre, paraqiste rrezik të përhershëm ndaj shtrirjes ortodoksisë sllave në këto hapësira.

Në nëntorin e vitit 1972 ndodhi mrekullia shqiptare. Në Tiranë u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Standarde Shqipe. Pas Kongresit të Manastirit, ku u miratua Alfabeti i shqipes së sotme, ky ishte kulmi i të arriturës mbarëshqiptare dhe shqipja hyri në mesin e gjuhëve të mëdha dhe të rëndësishme të globit. Në këtë Kongres morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre të gjithë shqiptarët e botës me referate, kumtesa dhe këshilla për gjuhën letrare dhe standardin e saj.

Me këtë rast, njëkohësisht, ndodhi edhe çmenduria e shfrenuar sllavo-ortodokse. Por mendësisë ortodokse serbe i erdhi fundi i durimit. Kësaj here vepruan më me mençuri. Në një plenum të Komitetit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën e morri fjalën Sinan Hasani (tani e kishte rrolin e pykës së Lisit) dhe i kritikoj pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes duke u thënë se ne nuk kemi asgjë të përbashkët me gjuhën shqipe sepse e kemi gjuhën tonë -‘kosovarishten”.

Ky ishte kulmi i shovinizmit serb por i thënë nga një shqipfolës, i cili djalin e vetë e kishte pagëzuar me emrin Jugosllav. Edhe kësaj here  institucionet shkencore dhe inteligjenca e mirëfilltë shqiptare, bashkë me politikanët shqiptarë të asaj kohe, e hodhi në koshin e mbeturinave djallëzinë dhe egërsinë sllave. Kur sharra u hasi në gozhdë të çeliktë, çetnikët serbë u mjaftuan me hedhjen e farës përçarëse ndër shqiptarë. Menduan se tani e tutje kjo farë do të ketë edhe fruta në një të ardhme …

Fara e “kosovarishtes” filloj t’i çelë pipat në fillimin e mileniumit të ri. Akademitë Ortodokse dhe Sinan Hasani e kishin lënë testamentin në duar të sigurta. Në qershorin e vitit 2014 u përurua libri i prof. dr. Nexhmedin Spahiut me titull “Foshnjëria e kombit kosovar” Ky libër nuk lë gjurmë në opinion sa kishin pritur “teoricienët” e “kosovarizmit”, por kishte lënë vragë të pashlyer e cila do t’ju gjendet në një të ardhme të përshtatshme për ata. Për çudinë time nuk pati reagime për “lindjen” e kombit kosovar. Nuk reaguan as inteligjenca, as institucionet shkencore dhe shtetërore por as politika. Edhe pse ishim në Kosovën e pavarur e mjaftonte që nuk e kishim Sërbinë Brenda. Sikur mos të kishte ndodh  asgjë rreth nesh dhe për ne. Pata mendua atëherë se mos këta intelektual dhe këto institucione e kishin zgjedhur mospërfilljen si shenjë mosmiratimi të kësaj hataje. Përkrahës të kësaj ideje atëherë ishin vetëm disa gazetarë siç ishte Migjen Kelmendi, Halil Matoshi dhe disa dështakë të tjerë..

Pata biseduar me një shok timin, i cili është njëri ndër studiuesit më të zellshëm të gjuhës shqipe, se pse Akademia e jonë nuk po reagon për përpjekjet për formimin e kombit kosovar dhe për gjuhën kosovarishte? Ai u përgjigj shumë shkurt: heshtja para këtyre stuhive mund të jetë edhe mospërfillje ndaj tyre por edhe miratim në heshtje. Uroj që të mos jetë e dyta, më tha miku me një ndjenjë dyshimi. Pas një pushimi të çastit shtoj: “a e din ti, më tha, se në Akademinë tonë po përgatitet të përpilohet një Fjalor enciklopedik i Kosovës?” Të dëgjuar e kam, nga disa kolegë, se shumë gjuhëtarë dhe historianë nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë në përpilimin e fjalorit. Vetë akti i kundërshtimit për bashkëpunim i këtyre shkencëtarëve ka domethënie…!?

Që nga dhjetori i vitit 1972 apo nga janari i viti 1973, kur e përmendi për herë të parë Sinan Hasani gjuhën “kosovarishte”, jam duke e “lodhur” mendjen se kjo ide ishte përpunuar në Akademitë Ortodokse apo ishte shprehje momentale e mllefit të Sinanit ndaj unifikimit të gjuhës shqipe? Për të qenë ky “zbulim” greko-serb nuk më habit aspak, sepse nga ata presim edhe shëmtira të tjera ndaj nesh. Po të jetë ky “zbulim” i Sinan Hasanit, ngufatja e këtij “zbulimi” do të jetë shumë më  e vështirë. Kësaj here kam parasysh plakun tonë të urtë dhe të mençur  i cili ka thënë: “Biro, lisin e çanë vetëm  pyka e vet”.

Botimi i këtij fjalori më shtyri edhe më tepër në vorbullën e këtyre pikëpyetjeve! Pasi e lexova lajmin për përurimin e “Fjalorit…” në  “Epokën e re” dhe e rilexova në gazetën “Shqip.com”, e sidomos nga fjalia “Kosova në këtë fjalor paraqitet si etnitet i mëvetësishëm dhe i tërësishëm (e i vetëmjaftueshëm!? SK) politik, historik, arsimor dhe kulturor, duke u bërë kështu një kundërvënie e fuqishme ndaj tendencave dezitegruese, të cilat kanë filluar të shfaqen së fundi dhe që kanë krijuar hapësirë më të madhe se kurrë” mëdyshjet mu shtuan edhe më tepër sepse në këtë fjali paraqiten tri kuptime kundërthënëse. Sipas hartuesit të kësaj fjalie lexuesi mund të zgjedh kuptimin që i pëlqen (ose që është i prirur ta pëlqejë!).

Së pari unë mendoj që nuk kemi pasur nevojë për hartimin e një fjalori të tillë e as të harxhojmë mund dhe energji për një ndërmarrje kësisoj. Sepse deri tani janë të botuar dy fjalorë enciklopedik të cilët e kanë pasqyrua botën shqiptare në tërësinë e saj me gjithë historinë e trevave etnike shqiptare. Bile në botimin e dytë, të zgjeruar, kanë marrë pjesë edhe bashkëpunëtorë nga të gjitha viset shqiptare dhe të gjitha institucionet shkencore nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, përveç  Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës !? Pse nuk morri pjesë në këtë projekt të madh kombëtar ASHAK-së mbetet të shihet në kohë tjera. Por kjo nuk është hera e parë që ASHAK-ja nuk bashkëpunon me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë!? Dhe ky mosbashkëpunim nuk është paraqitur tash por edhe në kohëra më të vështira dhe më vendimtare për çështjen shqiptare. Kjo “çarje” mendoj se e ka fillin nga lindja e sistemit shumëpartiak në Kosovë. Nga atëherë ASHAK-ja merr karakter njëpartiak dhe, sipas mendimit tim, del nga lëvozhga e interesit kombëtar.

Këtë e them sepse kam parasysh ftesën për bashkëpunim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për ASHAK-un në përpilimin e përbashkët të Platformës për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare e cila u bë më 1998 dhe për të cilën ASHAK-ja nuk iu përgjigj momentit historik për kombin!? E çara mes dy akademive me kohën vjen duke u thellua derisa arrin deri tek botimi i  “..etnitetit të mëvetësishëm dhe të tërësishëm politik, historik,arsimor dhe kulturor…” dhe asnjë fjalë e vetme nuk thuhet për ASHSH-un dhe për kontributin e pamohueshëm të saj në të gjithë lëmenjtë e shkencës, por edhe në leksikografinë dhe enciklopedinë shqiptare, prej nga ka marrë edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës pa asnjë dyshimi. Ky mosbashkëpunim mes akademive shqiptare është mjaft brengosës për popullatën shqiptare në të dy republikat tona. Dhe ky mosbashkëpunim po ndodh në kohën më të favorshme, në kohën e shkëmbimit të vlerave mes popujve, në kohën e përpjekjeve për të hy në familjen e madhe evropiane dhe në epokën e globalizmit.

Për të gjitha këto plasaritje ndërshqiptare (po e zbuti pak termin “çarje” në “plasaritje”) nuk po reagon as politika, as partitë politike e as institucionet e shtetit në Kosovë. Dhe kjo është edhe më brengosëse!? Mos të gjitha këto po bëhen në bashkërenditje me klasën e tanishme politike? Ka raste kur eksponent të qeverisjes dhe të partive politika herë pas here lëshojnë deklarata të cilat, ndoshta pa dashje, çojnë ujë në lugun e plasaritjes. Ndoshta është e rastësishme, por gjithsesi e dëmshme, kur kryeministri thotë se “nuk na duhet Shqipëria se e kemi gjuhë tonë ne”. Ose kryekuvendari e hedh në opinion idenë për rivarrosjen e Hasan Prishtinës në Prishtinë! Apo ministri i jashtëm thotë me plot bindje se “ne me Serbinë nuk kemi nevojë për kufi dhe se kemi jetua me shekuj bashkë!”

Tani, domosdo, detyrohemi t’i kujtojmë fjalët e kryetarit “historik” të Kosovës kur thoshte nëpër konferenca për shtyp (të xhumave) se “Kosova duhet të jetë e hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë”. E bashkëpartiaku i kryetarit “historik” dhe njëkohësisht edhe kryetar i grupit kuvendor të asaj partie, kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e hedh idenë, në Kuvendin e Kosovës, për të zgjedhur në të ardhmen një kryetar shteti të përbashkët për Shqipëri dhe Kosovë, ai e thërret menjëherë një konferencë për gazetarë dhe ia kthen Edi Ramës: “Edi Rama nuk i ka në konsideratë aspiratat e kosovarëve”. Mbetet e paqartë se folësi a ka mendua në aspirata të “kosovarëve” të Nexhmedin Spahiut, të Halil Matoshit dhe të bashkëmendimtarëve të tyre apo në aspirata të shqiptarëve të Kosovës? Një gjë është shumë e sigurt se paraardhësit tanë, por edhe etëtrit e këtyre që i përmenda më lartë, me shekuj, e kanë pasur  aspiratë, vetëm dhe vetëm, bashkimin me Shqipërinë e kurrsesi formimin e gjuhës kosovarishte e lëre më pjelljen e kombit kosovar.

E bëra një kronologji të filleve të plasaritjes. Ka edhe plot sinjale të tjera që nuk i përmenda ose që unë kam arritur t’i dëgjojë. Vetëm këto raste që i përmenda janë të mjaftueshme që të brengoset opinion i gjerë dhe të pengojë çarjen, ose plasaritjen, që po na e fusin tinëzisht “intelektualët” e shekullit të ri.

Nuk e di se çka duhet të ndodhë tjetër e keqe për t’u ngritë në këmbë dhe për ta shkundur pluhurin nga koka inteligjencia dhe politika e Kosovës dhe e Shqipërisë për t’u dalë në ballë “dashamirëve” të “njëqind flamujve pa një” Kësaj pune populli i thotë: “ti flejë e unë flejë, e laroji në kollomoç”!

Mendoj se në vazhdën e këtyre përpjekjeve, qofsha i gabuar, është edhe përpilimi dhe botimi i “Fjalori  Enciklopedik i Kosovës” i punuar nga Akademia Njëpartiake e Kosovës dhe me bekimin edhe të institucioneve shtetërore.

Në fund uroj që botimi i këtij fjalori të jetë përpjekja e fundit që i bëhet “kosovarishtes” dhe, njëkohësisht, uroj që ekipi i kosovaristëve ta ketë gërhamën e fundit.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vijon kriza e skuadrës së Clevelandit, që është pse shkarkoi…