“Po vdesim nga i ftohti” – Palestinezët e zhvendosur në Gaza në luftë me dimrin
Duke qëndruar zbathur në baltë me një enë bosh në dorë në një pikë për mbushjen e ujit të stërmbushur me njerëz në Gazën qendrore, palestinezja Alaa Al-Shawish i frikësohet dimrit dhe po kërkon ujë të pastër për familjen e saj.
Familja e saj po jeton në një tendë të improvizuar në Deir Al-Balah, pasi u zhvendos nga qyteti i Gazës mes bombardimeve të rënda izraelite. Por shtëpia e tyre e re ka rreziqet e veta vdekjeprurëse.
“Po vdesim nga i ftohti. Kjo nuk është jetë, kjo nuk është të jetosh. Lutem çdo ditë që të vdesim që të çlirohemi nga kjo jetë,” thotë Alaa teksa mezi mban.
“Pa ushqim, pa ujë, pa jetë.”
Disa palestinezë, duke përfshirë të paktën pesë foshnja, kanë vdekur ditët e fundit për shkak të motit të ftohtë. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) paralajmëroi të martën se “më shumë foshnja do vdesin” në ditët në vijim.
Foshnjat që vdiqën nga hipotermia ishin të gjithë nën një muajsh, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Një 2-vjeçar ka ndërruar jetë gjithashtu nga i ftohti ditët e fundit, thanë zyrtarët shëndetësorë.
“Unë po i shikoj fëmijët e mi të vdesin para syve të mi,” thotë Yahya Al-Batran, babai i foshnjës 20-ditore, e cila vdiq të dielën.
“Ai vdiq nga i ftohti, ai ngriu,” shton ai ndërsa mban trupin e pajetë të fëmijës së tij në spital.
Moti i ftohtë nuk ka marrë vetëm jetën e fëmijëve. Të premten, Ministria e Shëndetësisë tha se një infermier u gjet i vdekur në çadrën e tij në Al-Mawasi të premten për shkak të të ftohtit të rëndë.
Temperaturat në Gaza mund të arrijnë deri në 10 gradë Celsius, të shoqëruara me erë dhe shi.